Një pikë e re kontrolli është hapur në Portin e Durrësit për të kontrolluar sigurinë ushqimore të produkteve. Ishin ministrja e Bujqësisë Frida Krifca dhe homologu italian Francesco Lollobrigida që inspektuan hapjen e pikës së re ku do të kalojnë 1.4 mln tonë produkte në vit.
Krifca tha se ky projekt i rëndësishëm ka në fokus fuqizimin e kapaciteteve të kontrollit në menaxhimin e sigurisë ushqimore.
“Kjo pikë e rëndësishme kontrolli e Autoritetit Kombëtar Ushqimor mundëson kontrollin e 1.4 milionë tonë produkteve përgjatë një viti, rreth 40% të volumit të importeve të produkteve ushqimore”, theksoi Krifca.
Ministrja shprehu anagazhim maksimalisht për fuqizimin e AKU-së me kapacitetet e duhura të operimit të kontrolleve zyrtare fitosanitare, veterinare dhe ushqimore për ngarkesat e mostrave, ruajtjen e tyre në kushte ngrirjeje, freskie e ambienti, deri në transportimin për analizim, duke mundësuar garanci të plotë të kontrolleve për konsumatorët tanë mbi sigurinë ushqimore.
Qendra e re, mundëson rritjen e kapaciteteve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për të kryer inspektime eficiente në produktet ushqimore që hyjnë në portin e Durrësit. Investimi në ambientet e reja me kushte optimal dhe të posaçme për kontrollin zyrtar të produkteve ushqimore, me kushtet dhe standardet e BE-së është një hap i rëndësishëm që afron më shumë sigurinë ushqimore shqiptare drejt BE-së.
Ndërtimi i kësaj strukture, ka bërë të mundur edhe riorganizimin në hapësirën e punës si për inspektorët e pikës së inspektimit kufitar të AKU-së, ashtu edhe për ata fitosanitarë e veterinarë të Kosovës, sipas marrëveshjeve në fuqi.