TIRANË- Konsulli ynë i nderit në Liban, Marc Ghorayeb gjatë një vizitë në Shqipëri, ku mes të tjerash ka takuar edhe Kryegjyshin e Bektashinjve, Haxhi Dede, Edmond Brahimajn, i ka premtuar klerikut se do të dalin nga kampi i ISIS të gjithë shqiptarët.
Konsulli ynë i nderit në Liban, një pikë e fortë mbështetëse në misionet e riatdhesimit ka konfirmuar për Report Tv takimin me Baba Mondin ku thotë se i ka premtuar atij se do të punojë për të nxjerrë nga kampi i ISIS të gjithë shqiptarët.
“Ishte një vizitë kthimi, pasi baba Mondi na ka vizituar ne në Liban dhe i kam premtuar që të gjithë fëmijët dhe shqiptarët që ndodhen në kampet e Sirisë do të kthehen në Shqipëri, ashtu siç e ka kërkuar edhe kryeministri Edi Rama”, tha konsulli Marc Ghorayeb për Report Tv.
Kujtojmë se konsulli i nderit i Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb ka luajtur një rol kyç në riatdhesimin e Alvin Berishës një vit më parë dhe riatdhesimin e 5 shqiptarëve pak kohë më parë nga kampi Al-Hol në Siri, ku mes tyre ishte një grua, 3 fëmijët e saj dhe Endri Dumani.