Prej qershorit 2022, shoferët më të pabindur të rrugës, ata që konsiderohen “bomba të qarkullimit”, që thyejnë më së shumti rregullat dhe rrjedhimisht humbin patentën, nuk e kanë aspak të lehtë për ta rifituar.
Me ndryshimet ligjore të atij viti dhe hyrjen e sistemit të pikëzimit të patentave, për këtë kategori shoferësh për të rimarrë të drejtën për të drejtuar mjetin duhej sërish rikthimi në autoshkollë nga e para.
Sipas shifrave të siguruara nga Report Tv, në harkun kohor të 37 muajve, qershor 2022 deri në korrik 2025, kërkesën për të rimarrë sërish patentën që e humbën përmes mbarimit në total të 20 pikëve, e bënë 2329 persona përmes regjistrimit në autoshkolla. Ky është vetëm numri i regjistrimeve, pasi një pjesë e madhe e atyre që e kanë humbur përfundimisht patentën është shumë më i lartë, por një pjesë nuk rikthehen për arsye të ndryshme.
Megjithatë, të rikthehesh në autoshkollë, pasi ke qenë disa vite shofer, nuk qenka dhe aq e thjeshtë. Vetëm 314 persona kanë mundur ta marrin sërish patentën, thënë ndryshe 13.4%. Në fakt ky është synimi i ligjit, që “bombat e rrugës” ta kenë sa më të vështirë për t’iu rikthyer timonit dhe të rrezikojnë të tjerët.
Por pse është kaq e vështirë të rimerret patenta?
Nëse ata që duan të marrin patentë për herë të parë kanë disa lëshime, nga dhënia e testimit teorik për 5 herë në 6 muaj, apo tolerimi me 4 gabime; nga 40 pyetje në total, e njëjta gjë nuk ndodh kur tenton të rimarrësh patentën pasi ke humbur pikët.
Fillimisht duhet të regjistrohesh në autoshkollë, të bësh pagesat, të mbyllësh kursin teorik dhe të paraqitesh për provim, te cilin ke vetëm 1 mundësi për ta marrë dhe jo 5 herë. Nëse në këtë mundësi të vetme bën qoftë edhe një gabim, nuk kualifikohesh. Testimi i kësaj kategorie bëhet një herë në muaj, i monitoruar nga kamerat.
E nëse do sërish të luftosh për të marrë patentën duhet të rikthehesh sërish në autoshkollë në të njëjtin cikël, me pagesa nga fillimi. Pra, synimi është që problematikëve të rrugës thënë me shprehje frazeologjike t’iu nxihet jeta për t’u bërë sërish shoferë.
Por si hiqet patenta sipas Kodit Rrugor?
Një person i pajisur me patentë, ka në dispozicion 20 pikë, të cilat me kalimin e kohës mund të zbriten nëse kryen shkelje rrugore. Shkelja më e rëndë ku patenta hiqet është kur është i dehur me më shumë 1.5 g/l. Në kushte të tjera, kur është kryer aksident dhe është larguar nga vendi i ngjarjes i hiqen 15 pikë, duke ngelur vetëm me 5. Në vijim, mjafton të mos i ndalosh policisë kur ata ta bëjnë me shenjë, që të hiqen edhe ato 5 të mbetura, duke ngelur me zero pikë, dhe praktikisht pa patentë.
Shkelje të tjera që u heqin pikë të konsiderueshme nga patenta janë edhe shoferët e droguar, 10 pikë herën e parë, shoqëruar me pezullim dhe 15 pikë nëse ripërsëritet brenda vitit. Megjithatë, shoferët e droguar nuk janë më thjesht subjekt të Kodit Rrugor, pasi referuar Kodit Penal, arrestohen dhe çdo masë tjetër është plotësuese.
Komente

Po e vlla bejeni shqiprin ferr si italia , kto menyra i bejn nder punonjesve te shkollave per te fut na i lek me shum ne xhep , ne ket vend nxirren rregulla dhe ligje vetem per te rjep ket popull
Përgjigju