Natyra dhe peizazhi i Pogradecit kanë qenë frymëzim për piktorë nga vende të ndryshme të botës, të cilët për një javë kanë jetuar në qytezën e vogël buzë liqenit.
Ata iu kanë dhënë jetë krijimeve të tyre në Koloninë Ndërkombëtare të Artit, duke ndarë me njëri-tjetrin edhe përvoja të ndryshme.
Sabine Livia nga Letonia tregon eksperiencën e saj në këtë koloni.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri, dhe ju falënderoj që më keni pritur këtu. Më ka pëlqyer shumë bukuria natyrore, peizazhi, ngrohtësia dhe dielli i natyrës, por edhe i njerëzve këtu. Është një hapësirë e bukur. Përvoja ime këtë herë, duke u përzier me artistë të tjerë, duke punuar bashkë, ishte shumë e këndshme. Mësova shumë ide të reja, teknika të reja dhe mënyra të reja për ta parë artin në raport me mjedisin. Kam njohur shumë miq të rinj, dhe kjo më emocionoi shumë”, tha Sabine Livia, piktore.
Piktori çek, Roman Kharevsky shton se Pogradeci është një qytet shumë i bukur dhe përvoja me koloninë e artit është e veçantë dhe frymëzuëse.
“Jam nga Republika Çeke, nga një qytet shumë i bukur, Karlovy Vary, dhe kjo është një përvojë shumë interesante sepse është hera e parë që vij në Shqipëri. Të punosh me artistë të tjerë nga vende të ndryshme është një frymëzim i madh. Çdo ditë flasim, çdo ditë ka diçka të re, çdo ditë pikturojmë në një stil tjetër”, u shpreh Roman Kharevsky, piktor.
Yeonsun Kim nga Azia e Largët krijoi mbi pllaka alumini. Ajo skaliti me gdhendje fluturat, simbol i gëzimit dhe shpresës.
“Këto vepra kanë si temë kryesore fluturën. Siç mund të shihni, flutura simbolizon gëzimin, idealin, shpresën, bukurinë, por edhe kalimin përtej botës së dukshme. Materialet e përdorura janë metali dhe pllakat prej alumini, të cilat përpunohen me lustër dhe ngjyrosje, duke krijuar një pamje që shkëlqen nën dritë. Në këtë mënyrë, shfaqet ndjesia magjike dhe e bukur e shkëlqimit të metaleve, të cilën shikuesi mund ta përjetojë drejtpërdrejt”, tha Yeonsun Kim, artiste.
Kolonia ndërkombëtare e artit figurativ është një aktivitet i përvitshëm dhe i rëndësishëm i pikturës në vend, që ndër qytete të tjera ndalesën e ka dhe në Pogradec. Ndërsa ekspozita me 35 krijimë do të qëndrojë e hapur për 10 ditë në Galerine e Qytetit.
Komente
