Piktori Agim Sulaj çel në Tiranë ekspozitën “Heronjtë”. Artisti, i cili prej tre dekadash jeton edhe punon në Itali u frymëzua për tablonë që mban titullin e kësaj ekspozite nga një fotografi e mjekut Joseph Varon, i cili përqafon një pacient të prekur nga Covid 19.
“Këtë vit nuk mund që të rrija pa u dedikuar një tablo në vaj mjekëve, që kanë humbur jetën nga ky virus, që është bërë për të gjithë botën një armik i padukshëm. Tabloja, ka në qendër një mjek që përqafon një pacient me Covid 19. Një foto kjo e publikuar në Washington post fillimisht”, tregon Sulaj.
Përpos kësaj artisti trajton rrënjët dhe rrugicat e fëmijërisë, sjell një tablo për Ali Pashe Tepelenën, por nuk mungon as portreti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut..., për këtë të fundit, Sulaj na rrëfen edhe se artistët duhet që të jenë të kujdesshëm kur realizojnë vepra për heronjtë, që mos të ndodh sikundër më statujën anemike të artistit nga Prizreni
“Ekspozita përfshin një gamë të madhe të krijimtarisë, ka pejzash të Tiranës dhe të vendeve në Itali ku jetoj prej tre dekadash. Tablos historike që i dedikohet kokës së prerë të Ali Pashë Tepelenës, i rikthehem sërisht pasi versioni i parë është në Muzeun e Ali Pashës në Janinë. Ndërsa, një tablo është për heroin kombëtar, Skënderbeun. Mendoj se Skënderbeu është një figurë kombëtare edhe çdo komb do ta kishte dëshirë që të kishte një hero si ai. Skulptura e Skënderbeut të Paskalit apo edhe i artistëve të tjerë, janë vepra që tregojnë shumë për të. Popujt i kanë në mendje heronjtë, por në rastet që kemi parë disa skulptura butaforike, më vjen keq, sepse populli nuk kanë gjetur asgjë nga Skënderbeu me të cilin është mësuar. Mendoj se artistët kur bëjnë vepra madhore duhet që të jenë të specializuar, të ketë juri për ta, ndryshe një skulpturë del anemike dhe pa anatominë e një heroi, siç ne e kemi”, mendon Sulaj.
Artisti i rreth 100 çmimeve ndërkombëtare në karikaturë, ndalet dhe tek protestat e dhunshme të të rinjve në Tiranë, duke bërë apel shtetit që të gjejë mënyrën edhe të qetësojë gjakrat
“Që nga viti ‘90 deri më sot, këto indinjata popullore i kemi ndjekur, sepse edhe ne që jemi larg vendit, jemi po aty. Më vjen keq, që herë pas here ndodh ndonjë element negativ, që acaron popullin. Populli ndodhet në një situatë të vështirë ekonomike. Për këtë duhet një lloj kurajë e shtetit, që krahas punës që bën t’u vërë dorën në krah njerëzve. Të miturit nuk duhet të jenë në protestë. I kemi parë të miturit vetëm në shpërthimet palestineze në Izrael. Duhet të mbahen njerëzit afër dhe të mos përdoren forma dhune. Shteti duhet që të gjejë arsyet e vrasjes së këtij djaloshi, Klodjan Rashës edhe t’i jap një konstrukt më shumë popullor policisë, që populli ta dojë policinë. Syri i të parit të gjërave me burrëri, mendoj se do t’i qetësonte gjakrat”, përfundon Sulaj.
Ekspozita do të vazhdojë që të qëndrojë çelur deri në shkurt të vitit 2021 në Tiranë.