Piktori Gazmend Leka e përshkroi Dhimitër Anagnostin si një personalitet të papërsëritshëm. Duke folur pas homazheve, Leka tha se veprat e tij janë një xhevahir jo vetëm i kinematografisë shqiptare, por edhe e asaj botërore. Ai e krahasoi Anagnostin me regjisorin dhe skenaristin e famshëm italian Federico Fellini.
“Ishte personalitet i papërsëritshëm. Humbje shumë e madhe për të tërë. Por përveçse ishte një person me staturë të madhe, kishte një strukturë të pathyeshme. Ishte si beton. Ishte shumë aventurier, liberal sa i përket artit aq më tepër filmit. Ato gjëra që na kanë lënë ai, janë xhevahir dhe nuk diskutohet për kinematografinë shqiptare, por janë xhevahir edhe në artin botëror të kinematografisë. E kam dhimbjen edhe si Gazi se shkëmbenim biseda dhe ishte vazhdimisht në ekspozitat e mia. Duke ardhur me Artan Peqinin, ish-dekanin tim, përmendi Fellinin kur ka vdekur në Romë. U bë bllokim total i TV-ve dhe jepnin vetëm për të. Dhe po thoshim se është si Fellini shqiptar”, tha Leka duke përmendur disa nga filmat që bënë bujë të Anagnostit, dhe duke shtuar se ka lënë pas gjëra të mrekullueshme.
Lajmi kryesor:
Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Regjisori do prehet në Vuno, arti e politika: Fellini shqiptar, ndërtoi karaktere legjendare! Sot zi kombëtare
Xh.D/ReportTv.al
