Imazhe tronditëse përtej së zakonshmes,imazhe që të tronditin shpirtin nga e kuqja e thellë, që është përzgjedhur për të dënuar viktimën në një dhomë torturash. E kësaj here viktima, por edhe xhelati është piktori i njohur Gazmend Leka, që hera-herës qëndron duke soditur aktin e dhunshëm, edhe hera-herës akuzon vetveten. Bëhet fjalë për ‘27 dhomat e hapave të humbur’, nëpërmjet së cilave, piktori na rrëfen paradhomën e kalimit nga materia tek shpirti, në Galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore.
“Kjo ekspozitë është vazhdim i “Lutjes”. Në një farë mënyre është një vazhdim, që është i fshehur nën të, sepse “Lutja”, ashtu siç e kemi shpjeguar ne ka qenë një akt shumë i brendshëm i njeriut, karshi vetes së vet për të çliruar energjitë e tij. Ndërsa, këtu është vërtet skaner i “Lutjes”,por e vërteta që ishte fshehur tek cikli “Lutja”, këtu zbulohet për publikun. Prandaj, edhe e kam shumë të vështirë, që ta mbështesë, që të krijojë një alibi për këtë emocion të ri. “Hapat e humbur” në përgjithësi konsiderohen hapat e profanit, e të gjithë botës që na rrethon, sepse kur ne na jepet një paket për të shkuar drejt përsosmërisë humbim shumë rrugës, ngarkojmë veten me zili, inate edhe mungesë sensibiliteti ndaj tjetrit, edhe kështu ne na rëndohet trupi edhe biem shumë poshtë në tokë”. Profesori rrëfen më tej, se në përgjithësi hapat e humbur konsiderohen njerëzit që tentonin të hynin në një vend të shenjtë,sepse atje nuk mund që të pranoheshin pa bërë një shpëlarje të mëkateve, në mënyrë që mos ta kthejnë më kokën më pas.
“Kur gjeta titullin ‘Dhoma e hapave të humbur”, e mendova të duhurin, sepse të gjithë njerëzit kanë hapa të humbur, ne kemi një koleksion me hapa të humbur. Por një ditë njeriu mund të bëhet koshient edhe ja rrëfen dikujt. Unë e bëj këtë nëpërmjet pikturës”.
Prandaj “Dhoma e Hapave të Humbur” vjen si një testament piktorik i Gaz Lekës jo vetëm mbi jetën, por edhe mbi zhvillimet shoqërore të vendit tonë
“Gjithmonë e kam pasur në mendje këtë lloj sinkroni që ka Gazi si qelizë e këtij trupi të madh që quhet Shqipëri. Edhe thoja, siç kam unë hapa të humbur, Shqipëria ka një koleksion me hapa të humbur, pavarësisht nga çastet e lumtura, nëse e shikojmë në pamjen e madhe, ne themi: Si nuk u bëmë? Si nuk kemi njerëz që të na drejtojnë mirë, që të bëhemi. Kjo mund të mos jetë e vërtetë, por nëse sheh historinë shqiptare, është plot me hapa të humbur. Siç unë tani në këtë moment krijoj një lloj katarsisi me veten time, konçidon edhe me atë që presim ne, me një katarsis të thellë për vendin tonë”.
Ekspozita e kuruar nga Ermir Hoxha do të qëndrojë hapur në galerinë e fakultetit të Arteve Pamore.