Piktori mashtrues 'këshilltar' i Ramës dënohet me 1 vit burg. Përndoqi mësuesen dhe kërkoi të martohen me 'zor'

1 Nëntor 2019, 14:04| Përditesimi: 1 Nëntor 2019, 14:08

  • Share

TIRANE - Një piktor, që prezantohej si punonjës dhe “këshilltar” i kryeministrit aktual Edi Rama, është dënuar me 1 vit burgim nga gjykata e Tiranës, pasi ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme një mësuese gjimnazi në Kamëz dhe vajzën e saj.

P.M, me profesion piktor prezantohej si punonjës në kryeministri dhe këshilltar për artin dhe kulturën i Edi Ramës, duke krijuar potencë në raportin shoqëror që kishte krijuar me nënë e vajzë, me inicialet S. T dhe E.T.

S.T, një mësuese anglishteje nga Vlora por e divorcuar nga bashkëshorti punonte në Kamëz, ndërsa kishte krijuar njohje nëpërmjet Facebook me piktorin P.M. Kjo njohje ishte krijuar falë një kërkese që i kishte bërë piktori P.M, në adresën elektronike të mësueses, ku ai i kërkonte që mësuesja të bënte një kurs mësimor për djalin e tij, nxënës në shkollën e mesme “Qemal Stafa” në Tiranë. Pas këtij komunikimi elektronik “këshilltari” i Edi Ramës ka filluar t'i dalë në rrugë mësueses së divorcuar, duke i kërkuar kësaj të fundit takime të vazhdueshme dhe krijimin e një lidhje që më pas sipas tij do konkretizohej në martesë. Madje P.M ka shfaqur interes që t'i shkojë në banesë S.T, dhe t'i kërkojë dorën. Por kjo kërkesë prej saj është refuzuar dhe më pas mes tyre është zhvilluar një takim në një kafene në prani të nënës së mësuesies. Takimi është zhvilluar në një lokal në Durrës, ku kanë pirë një kafe dhe kanë diskutuar për lidhjen intime të tyre. Mësuesja S.T, ka pohuar në prokurori se asnjëherë nuk ka pranuar të krijojë lidhje intime me këtë person, pavarësisht se ai prezantohej si punonjës në kryeministri.

Sipas saj, P.M, i dukej shumë i nxituar për shumë gjera konkrete. Ata të dy kanë komunikuar vetëm nëpërmjet aplikacionit të Messengjerit. Por pavarësisht kësaj, rezulton se pasi kanë konsumuar kafen në Durrës në prani edhe të nënës së mësueses, i pandehuri së bashku me nënë e bijë është nisur në drejtim të lagunës së Patokut në Laç, ku kanë drekuar ngjala. Më pas janë larguar prej këndej dhe kanë kryer rite fetare pranë kishës së Laçit. Në kthim, kanë konsumuar një kafe.

Gjatë bisedave që kishin zhvilluar me këtë person, mësuesja ka pohuar në prokurori se kishte vendosur të ndërpriste të gjitha kontaktet me këtë person dhe të mos pranonte të lidhej me të, pasi i dukej shumë posesiv dhe këmbëngulës për të kryer marrëdhënie seksuale. Ajo ka pohuar se ditët që është shoqëruar më ketë person, ka pranuar se kishte krijuar besim dhe siguri për shkak të statusit social që ai kishte prezantuar, si punonjës i kryeministrisë, këshilltar për artin dhe kulturën i kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë gjithmonë sipas rrëfimit të mësueses në prokurori, P.M, teksa ishin duke pirë kafe, ishte prezantuar si pronar i lokalit.

Pas këtij takimi S.T, ka vendosur të mos e takojë më P.M, por ky i fundit për një periudhë tre mujore ka arritur t'i dalë çdo ditë përpara duke e kërcënuar, shantazhuar dhe ofenduar rëndë në rrugë.

Madje P.M, telefononte drejtorin e shkollës ku punonte mësuesja dhe duke ju prezantuar si punonjës i kryeministrisë, kërkonte numrin e mësueses.

Veç të tjerash në adresën elektronike të saj dhe vajzës, kanë mbërritur mesazhe kërcënuese dhe shantazhuese “…do ta shohësh së çfarë do të bëj…”.

Pas një seri kërcënimesh dhe përndjekjesh në rrugë dhe në postën elektronike, S.T, vendosi ta denoncojë në polici “këshilltarin” e kryeministrit Edi Rama. Menjëherë pas këtij denoncimi ai është arrestuar dhe pak ditë më parë është dënuar me 1 vit burgim nga gjykata e Tiranës.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?