Artisti Gjergj Kola prej vitesh e zhvillon karrierën e tij në Itali. I njohur për ekspozita të shumta, bashkëpunimet dhe rrugëtimet nëpër muzetë e Europës, edhe këto ditë maji ai ka tërhequr vëmendjen e medias dhe të kritikës italiane me një përurimin e disa veprave që shënojnë një kahje tjetër ndër gjini më të zgjeruara të pikturës, atë të pikturës murale.
Më 17 maj në Limone sul Garda u përuruan pikturat monumentale që realizoi Artisti Kola në muret e dy nënkalimeve që të çojnë në qendër të qytetit, të shtrirë në bregun e liqenit. Ceremonia, e promovuar nga Kryetari i Bashkisë së Limone Sul Garda Franceschino Risatti, u zhvillua me pjesëmarrjen e një numri të madh qytetarësh dhe praninë e autoriteteve të ndryshme civile dhe fetare, mes tyre edhe të ish Konsullit të Nderit të Shqipërisë, Giovanni Firera dhe bashkëshortes së tij të nderuar si dhe përfaqësues të mediave kombëtare dhe rajonale. Ndër të tjera në fjalimin e tij kryetari i bashkisë kryetari Risati rikujtoi se arti i Gjergj Kolës u vlerësua nga popullata dhe nga turistët e shumtë, pasi këto piktura monumentale e bëjnë më të këndshëm kalimin në këto nënkalime, jo shumë të frekuentuara më parë.
Dr. Firera theksoi kontributin e lartë, gjithashtu politik, që ofrojnë arti dhe artistët në marrëdhëniet midis shteteve të Italisë dhe Shqipërisë. Së fundi Silvia Cuppini, Profesoreshë e arteve kontemporane në Universitetin e Urbinos ka vënë në dukje se si vepra e artit e vendosur në një vend pa identitet si një nënkalim mund ta transformojë atë në një hapësirë, duke ndikuar kështu në marrëdhëniet relacionale të njerëzve që kalojnë aty.
“Në muralet e tij Kola paraqitet, me një gamë ngjyrash të ndritshme, figura, kryesisht portretet e njerëzve të dashur që lëvizin në peizazhet e Limonës dhe liqenit, duke kujtuar gjithashtu traditën e lashtë të peshkimit dhe ekonominë e tanishme bazuar në turizmin dhe ambientet e pritjes, si dhe garat e çiklizmit, ngjarjet muzikore, të cilat zhvillohen këtu gjatë gjithë vitit. Shumë studime dhe bocete kanë shoqëruar lindjen e pikturave, studime që mund të admirohen në Galerinë e vogël që artisti ka hapur në qendrën historike të qytetit, disa hapa nga porti turistik. Tipari që karakterizon pikturën e Kolës është penelatë e ndjeshme plot plasticitet e potence i paraardhësve ekspresionistë, e bërë me një dorë të sigurt duke krijuar karaktere në portrete, në peizazhe adhurimin dhe dëshirën për bukuri, në objekte nostalgjinë për atë që beson se humbet në mënyrë të pakthyeshme.”, vlerësoi Silvia Cuppini.
Me talentin e tij Gjergj Kola ka sfiduar edhe artistët e huaj, ku i është besuar pikturimi i ndërtesës së Mitropolisë së Kozanit, monument kulture i kategorisë së parë në Greqi, e të tjera punë të rëndësishme nëpër Evropë. Numëron mbi 90 ekspozita vetjake e kolektive. Sot pikturat e tij koleksionohen nga njerëzit më të rëndësishëm të botës së artit dhe politikës. Emri dhe arti i Gjergj Kolës kanë zënë vend në muzeumet më prestigjioze botërorë, deri në Muzeun e Louvrit në Paris, në Londër në Cassa Batlo në Barcelonë, në Universitetin e Bristol USA, në Art Museum Ny USA në Çikago, Toronto, Moskë, e në shumë të tjerë.
Pikturat e tij i gjen të ekspozuara kudo; në shtëpi të varfra e në vila luksoze, e po kaq të larmishëm janë edhe adhuruesit. Gjergj Kola jeton prej vitesh në Fano, Itali, ku zhvilloni edhe aktivitetin në pikturë. U largua qysh herët nga Shqipëria, në vitet ’90, fillimsh në Greqi e më pas në Itali, duke ndjekur pa ndërpreje rrugëtimin e vështirë të artit. Ai thotë se artin ia dedikon vetë njeriut, duke e quajtur krijesën më të bukur të nënës natyrë.
“Pikturoj me sa mundem dhe sikurse e ndiej njeriun me gëzimin, hidhërimin, padrejtësinë, pabarazinë, dashurinë , historinë të gjitha këto në momente të ndryshme pa pretenduar se kam arritur dhe kam bërë të pamundurën, por duke qenë kokulur përpara figurës dhe botës shumëdimensionale njerëzore, duke pretenduar tek vetja ime që të përpunohem nga ana teknike në mënyrë që individualiteti të jetë sa më origjinal dhe sa me larg imitimeve dhe qëndrimeve false pra me tendencën e komunikimit të shpejtë, të drejtpërdrejtë dhe sa me të sinqertë me artdashësit.”, shprehet artisti Gjergj Kola.