Restaurohen pikturat murale në kishën e Shna Ndout në Kepin e Rodonit! Rëndësia e zbulimeve në objektin e kultit të shekullit Xlll

10 Nëntor, 16:16| Përditesimi: 11 Nëntor, 17:10

  • Share

Këto që shihni janë portrete dhe figura shenjtorësh, që kanë dalë në dritë disa ditë më parë gjatë punimeve për konservimin dhe restaurimin e pikturës murale në Kishën e Shna Ndout në Kepin e Rodonit.

“Në faqen veriore ka dalë një grup me figura, tre figura. Një prej tyre është e dëmtuar.  Është interesante se spikat trajtimi realist i portreteve të tyre”, tha Gentian Vokopola.

Gjithashtu edhe në apsidën e Kishës ka dalë një fragment mjaft interesant.

 “Fragmenti i zbuluar në apsidën e Kishës paraqet një pjesë nga skena Deisis, ku duket qartë froni i Krishtit dhe figura e Johan Pagëzorit”, tha ai.

Edhe në pjesët e poshtme të Kishës kanë dalë mjaft figura dhe simbole të tjera, kryqe, por dhe motive bimore.

 “Kemi një figurë heraldike, shqiponjën me dy kokë, e cila është edhe simboli i flamurit të Skënderbeut, emblema e Kastriotëve, një figurë kalorësi dhe një grup shpendësh shtegtarë, që duhet të jenë krilla ose çafka”, tha ai. 

Gentian Vokopola, i cili ka mbikëqyrur nga afër ecurinë e këtyre punimeve tregon se kisha Shna Ndout është një ndërtim romaniko-gotik i shekullit 13-14. Muralet plotësojnë në mënyrë më të plotë kishën, e cila ka një mungesë të theksuar të tyre pasi janë dëmtuar me kalimin e viteve.

Skenat pikturuara mendohet të jenë porosituar nga ana e autoriteteve lokale, duke dalë kështu jashtë kanoneve zytrare të realizimit të pikturave murale në kisha.

Ndërkohë, në faqen jugore të kishës është bërë një punë mjaft speciale.

“Këtu dallohet qartë prania e tri fazave të pikturës, të ruajtura me skrupolizitet. Ndërsa në anën e djathtë të apsidës, pjesa e mbetur e këmbëve paraqet figurën e shën Françeskut.”

Piktura murale e kishës së Shna Ndout bashkë me atë të Kishës së Shëlbuemit në Rubik ishin në fokusin e programit të EU4Culture gjatë këtij viti për restaurimin e veprave të artit ndërsa ndërhyrjet u realizuan nga restauratorja Edlira Çaushi dhe ekipi i saj.

“Gjatë punimeve restauruese në të dy kishat u kuptua rëndësia e restaurimit të pjesëve të pikturave të mbetura në të dy kishat. Gjatë restaurimit dolën pjesë që nuk ishin dokumentuar më parë dhe as nuk ishin pjesë e arkivave.” “U rindërtua nga IMK në vitet ’99-2000 pasi ishte në gjendje të mjerueshme dhe gjatë vitit 2019 në tërmetin e nëntorit kisha u dëmtua rëndë”, tha ajo. 

Programi EU4Culture fokusohet në 23 objekte kulture të kategorisë së parë dhe të dytë, ku 19 prej tyre i janë nënshtruar restaurimit të rivitalizimit, ndërsa katër janë institucione, mes te cilave teatri i kukullave dhe muzeu kombëtar.

S.B//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?