Dyqind e pesëdhjetë varre janë gjetur në pronën e mbrojtësit të Barcelonës, Gerard Pique. Spanjolli i cili njihet për investime jashtë fushës së futbollit së fundmi u bë pronar i një trualli në Costa del Sol në Malaga. Projekti i Pique konsiston në ndërtimin e një hoteli luksoz në zonë, teksa nga gërmimet janë zbuluar 250 varre.
Arkeologët janë në punë e sipër për të përcaktuar se të cilit shekull janë varret, me disa prej tyre që kanë qenë bosh. 20 milionë euro shpenzoi Pique për të qenë pronar i tokës, teksa sipas Marca mbrojtësi është në telashe pasi zona mund t'i kalojë ministrisë së kulturës në Spanjë, nëse bëhet fjalë për një zbulim arkeologjik.
Projekti i ndërtimit të hotelit është ndalur, me institucionet që do zbardhin kohën e ndërtimit të tyre dhe më pas do vendosin nëse Pique do vijojë me projektin e tij. "Ne kemi gërmuar rreth 250 varre, shumica dërrmuese e të cilave janë bosh. Është një nga nekropolet më të mëdha në vend", shpjegoi arkeologu Alberto Cumpian.