Avokati Spartak Ngjela komentoi zhvillimet e fundit të raporteve Kosovë-Shqipëri, duke ndërlidhur edhe disa komente në lidhje me qasjen e Kosovës ndaj ndërkombëtarëve. Ngjela u ndal fillimisht te qasja ‘orientale’, sipas tij, e Kurtit dhe e politikës së trashëguar në vitet e fundit.
Ngjela, në lidhje Skype në ‘Studio Live’ në Report Tv, iu përgjigj disa prej pyetjeve të moderatorit Arbër Hitaj mbi raportet e Kurtit dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Nga ana tjetër, Ngjela tha se Shqipëria, sipas tij, është pjesë e shkëputur e Ballkanit Perëndimor dhe se në vijim ai parashikon bashkimin e një shteti federativ shqiptar, ku pjesë do të jenë shteti i Kosovës, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe Çamëria.
Përveç të tjerash, Ngjela komentoi edhe qasjen e opozitës me Greqinë. Sipas tij, Berisha ka një qasje të hershme kundër forcimit të ‘shqiptarizmit’ në rajon, duke theksuar bashkëpunimet e ish-kryeministrit me Beogradin. Përtej kësaj, Ngjela thotë se këto janë përpjekje që nuk e nxjerrin askund Berishën, sipas tij, sepse ai është i shpallur Non Grata nga SHBA dhe nuk ka asnjë kredo për të marrë pushtetin.
“Ata ende nuk kanë nxjerrë një shtet të fuqishëm në kuptimin juridik; duhet ta nxjerrin brenda aleancës me SHBA. Ishte defekt politik, moshë e re në politikë, mbase ka marrë një pushtet të papritur. Thotë ‘Sono io’. Balancën aty e ka mbajtur Vjosa Osmani. Duhet të krijohet një raport me qeverinë, jo me Kosovën si vend, sepse Kosovën e kanë në mbrojtje ata. Nuk heq dot nga disa pikëpamje që dalin fallco në histori. Një nga këta është dhe Kurti. Nuk kanë faj kosovarët, personalitetet e Kosovës që hyjnë në luftën e tyre për liri, sepse disa prej tyre kanë qenë me komunizmin. Por kjo nuk ka qenë problem, sepse Enver Hoxha ka qenë nacionalist për ata, kurse për ne ishte komunist dhe diktator. Megjithatë, duhet të kuptojmë se kaq pak kohë që ka pavarësi Kosova, defekte të tilla do të ndodhin dhe është normale. Nuk është UÇK zhvillimi, është niveli që vjen nga banka dhe nga një parlament me ide.”-tha Ngjela.
Ngjela e lidhi komentin mbi raportin Rama-Kurti fillimisht si një marrëdhënie të ftohtë, e cila sipas tij nuk ka shkak. Ai theksoi se Rama, sipas tij, është në dijeni të bashkimit të ‘botës shqiptare’ me Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, Shqipëria do të bashkohet me 4 shtete të tjera që janë pjesë e rajonit.
“Raportet janë të ftohta, ne nuk dimë arsyen. Filozofia na thotë se pa ditur shkakun, nuk flasim dot. Kjo na tregon se kanë një shkak absurd. Rama e di që do të shkojë drejt bashkimit bota shqiptare me Ballkanin Perëndimor, do të jemi një shtet me ta. Me Maqedoninë e Veriut kjo nuk dihet. Jemi ne, është Kosova dhe po del edhe Çamëria. Jua kam thënë edhe në një emision tjetër tuajin. Rama që përmendi Çamërinë në Greqi, nuk e përmendi nga vetja, por e ka pasur të diskutuar me aleatët e mëdhenj.
Po të jenë 4 shtete, politika perëndimore do të kërkojë bashkimin. Një optikë e zgjuar siç është Perëndimi dhe, po hyjmë në federatë, nuk është gjë e vogël në ekuilibrin ushtarak dhe ekonomik.”-vijoi Ngjela.
Avokati ka thënë se Berisha është më afër grekëve dhe kjo është një nga arsyet kryesore, sipas tij, që kreu i PD-së nuk e përmend Çamërinë në takimet që bën në Greqi. Nga ana tjetër, ai thotë se Berisha tenton të shfrytëzojë politikën e grekëve në jugun e Shqipërisë.
“Berisha, që kur ka ardhur në pushtet që në 1992, nuk ka qenë me shqiptarizmin. Ku kullot dhe kush e ka pasur, armiqtë e Shqipërisë. Nga Franca në Beograd e më tej. Por sot nuk ka forcë, ai është shpallur Non Grata dhe kjo nuk e sjell në pushtet.
Ai kërkon të garantojë ardhjen në pushtet me politikën greke në Shqipëri, në jug. Por është mendim. Saliu ka mbërritur te 3 hapat e para, kur të bëjë të pestën, më njoftoni.”-tha Ngjela
Gjatë përfundimit të intervistës për Report Tv, avokati Spartak Ngjela ka komentuar edhe sulmin e ditëve të fundit në email-et e SPAK.
Sipas tij, ishte një sulm i dështuar që nuk pati akses në të dhëna të rëndësishme, të cilat mund të cenojnë sigurinë kombëtare.
“Sulmi, më thanë, ka qenë i dështuar. Dosjet hetimore janë legale, doni t’jua sjell? Ata nuk morën dot platformën e brendshme, raportin midis Kosovës dhe Shqipërisë apo raportin midis Kosovës dhe Perëndimit. Morën diçka që mund ta paguaje dhe 2 mijë euro. Nuk merren ato, se aty ku hyn Uashingtoni, nuk merret dot asgjë tjetër.”- theksoi Ngjela.
Avokati Spartak Ngjela ka komentuar për Report Tv premtimet e Berishës lidhur me tarifat doganore. Sipas Ngjelës, Berisha gënjen kur thotë se do të ndikojë në heqjen e tarifave të vendosura nga Presidenti i SHBA, Donald Trump. Berisha, sipas Ngjelës, është Non Grata dhe SHBA-ve nuk u leverdis që të ketë në Shqipëri një politikan nga i cili është distancuar.
“Gënjen se s'ka vota. Nëse vjen me kryengritje, po. Por erdhi njëherë me kryengritje, por e morën amerikanët dhe i thanë: ‘Largohu për 20 minuta se vijmë ne’. Se e bëri një revolucion ai atëherë. I leverdis Amerikës të ketë në Shqipëri një Non Grata? Na ka aleatin kryesor, mos e harroni këtë.”-tha Ngjela.
Komente
