Një 36-vjeçar shqiptar, i kërkuar si pjesë e një bande vjedhjesh, u ekstradua drejt Italisë nga Spanja. Shqiptari ishte arrestuar pak ditë më parë nga autoritetet spanjolle pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arrest ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, vjedhje banesash si dhe përvetësim të mallrave të vjedhura.
Mediat italiane kanë publikuar edhe momentin kur policia merr shqiptarin në Aeroportin Linate të Milanos, i cili u dërgua në paraburgim. Urdhër arresti ishte lëshuar si pjesë e një hetimi të kryer nga Skuadra Fluturuese e Milanos dhe e koordinuar nga Zyra e Prokurorit Publik të Milanos, i cili përfundoi në dhjetor 2024 me arrestimin e dy shqiptarëve të tjerë të akuzuar për të njëjtat krime.
Banda grabiste shtëpi dhe vila
Hetimet nisën nga identifikimi i një automjeti luksoz, që rezultoi i vjedhur, i përdorur nga personat e akuzuar. Vetëm në muajin nëntor 2024, grupit i atribuohen të paktën 12 vjedhje, të zbuluara falë shërbimeve të vëzhgimit dhe analizës së bisedave të përgjuara brenda automjeteve të përdorura nga banda.
Ata vepronin sipas një protokolli të mirorganizuar, që parashikonte identifikimin paraprak të banesave për t’u grabitur dhe një ndarje të qartë të roleve mes anëtarëve, duke shfrytëzuar, ndër të tjera, aftësinë e veçantë për hapjen e dyerve të hyrjes me çelësa të falsifikuar.
Në dhjetor 2024, policët lokalizuan dy prej anëtarëve të grupit në provincën Monza Brianza. I treti qëndroi në arrati për 8 muaj deri në kapjen e tij pak ditë më parë.
Komente
