Moment nga operacioni i policisë italiane 'Fast Car'

Pjesë e grupit që xhironte 10 mijë euro kokainë në ditë, 32-vjeçari shqiptar kapet në Spanjë dhe ekstradohet në Itali! E shpërndanin me makina luksoze të shpejta

18 Nëntor, 17:05| Përditesimi: 18 Nëntor, 17:10

  • Share

Itali- Një 32-vjeçar shqiptar u arrestua në Spanjë dhe u ekstradua drejt Italisë, pasi kërkohej si anëtar i një organizate kriminale ekstrakomunitare e trafikut të drogave të forta në rajonin e Emiglia Romagna, por edhe më gjerë.

Ishte 21 shtator 2023 kur në provincat Reggio Emilia dhe Parma, karabinierët e Kompanisë Castelnovo në Monti, bashkë me Prokurorinë, zbatuan urdhrin e paraburgimit të 24 personave nën hetim, së bashku me 7 të tjerë, në kuadër të hetimit të “Fast Car”, për krime në lidhje me trafikun e drogës dhe armëmbajtjes pa leje.

Mes të dyshuarve ishte edhe një 32-vjeçar shqiptar, i cili në momentin e ekzekutimit të urdhrave rezultoi se ishte larguar dhe ndodhej në Spanjë. Autoritetet spanjolle kanë njoftuar homologët e tyre se i kërkuari është kapur për efekt ekstradimi, pas urdhërit ndërkombëtar të arrestit. Në aeroportin Fiumicino 32-vjeçari u zbrit nën pranga dhe iu dorëzua nga agjentët e Interpol Madridit, atyre të Romës dhe më tej izolimi i tij në Burgun Rebibbia në Romë.

Operacioni “Fast Car” nisi në Reggio Emilia, më 31 dhjetor 2019, ku fillimisht u kap një 42-vjeçar italian, të cilit iu gjetën 30 gramë të kokainës dhe parave të gatshme. Hetimet e thelluara zbuluan një rrjet edhe më të gjerë kriminal të trafikut, që çuan në arrestimin në flagrancë ose me urdhër arresti të 11 personave të tjerë.

Kanali i furnizimit ishte ai i Campania dhe lënda narkotike e vendosur në tregun Reggio Emilia vinte kryesisht nga rrethi Scampia i Napolit. Qarkullimi i vlerësuar ishte rreth 10 mijë euro në ditë. Mes të arrestuarve janë edhe 3 shqiptarë, kurse organizata përbëhej nga vendas dhe ekstrakomunitarë, si algjerianë dhe marokenë.

Sipas hetimeve, grupi funksiononte që para pandemisë, madje kishte lidhje edhe me tregun e medikamenteve që përdoreshin për të përzier lëndën narkotike apo si përbërës psikotrop tek përdoruesit, shkruan "Next Stop Reggio".

Emri që i atribuohet hetimit 'Fast Car' rrjedh nga fakti se financuesi i të dyshuarve, një individ i dënuar tashmë i përkushtuar në kryerjen e krimeve financiare, kishte siguruar si një nga bazat e veprimtarive të paligjshme, një garazh në Reggio Emilia, plotë me makina sportive dhe luksoze. Mes mjeteve kishte edhe nga ato që grupi i përdorte për të shpërndarë lëndën narkotike, si “Hammer” apo “Audi”.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?