Gazetari që mbeti i vrarë

Bota

'Kemi prova në një mesazh se ishte me Hamasin'/ Izraeli akuzoi gazetarin e vrarë të Al Jazeera-s, stacioni televiziv: E rreme, donin të heshtnin zërat brenda Gazës

12 Gusht, 08:43| Përditesimi: 12 Gusht, 09:22

  • Share

Raporti i fundit nga lufta që nuk po përfundon tregonte për një bombardim, dhe ka qenë një raketë ajo që vrau Anas al Sharif të Al Jazeera-s bashkë me pesë kolegë, katër prej tyre të së njëjtës media. Forcat ajrore izraelite goditën tendën ku ata jetonin dhe punonin, pak larg spitalit Al Shifa, qendra që mbledh tmerrin e këtyre 22 muajve dhe sfondi i transmetimeve të tyre të drejtpërdrejta të shpërndara nga media në pronësi të Katarit.

Tani zëdhënësit e ushtrisë akuzojnë Anas-in, 28 vjeç, se ka qenë kreu i një cellule të Hamas-it, se ka koordinuar sulme kundër trupave, duke nxjerrë nga arkivat mesazhin e lavdërimit që ai kishte shkruar më 7 tetor 2023, gjatë sulmit të terroristëve palestinezë ndaj fshatrave në jug të Izraelit, ku u masakruan 1.200 persona.

Drejtuesit e kanalit satelitor, i ndaluar nga qeveria e Benjamin Netanyahu-t, i mohojnë akuzat dhe denoncojnë "vrasjen e qëllimshme": "Kanë dashur të heshtin një nga zërat e fundit nga brenda Gazës".

Pak ditë më parë Anas shpërtheu në lot gjatë një reportazhi teksa përshkruante fëmijët e vdekur nga kequshqyerja; që nga ai moment nisi një fushatë në rrjetet sociale, ndërsa Kombet e Bashkuara paralajmëruan se ai ishte në rrezik.

Qeveria britanike kërkon "një hetim të pavarur" mbi akuzat e përsëritura nga izraelitët kundër Al Sharif-it; zëdhënësja e Keir Starmer-it është dukur skeptike për sa të bazuara janë ato: "Jemi thellësisht të shqetësuar nga sulmet e përsëritura ndaj gazetarëve në Rrip". Tashmë Komiteti për mbrojtjen e gazetarëve e konsideron këtë konflikt si më vdekjeprurësin për kronistët: 192 janë vrarë që nga fillimi i ofensivës së urdhëruar pas sulmeve të vjeshtës së kaluar, të gjithë palestinezë.

Izraelitët nuk lejojnë mediat ndërkombëtare të hyjnë në Rrip në mënyrë të pavarur; e vetmja leje janë hyrjet — të rralla, të kufizuara dhe për disa orë — bashkë me kolonat ushtarake.

Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, ka shpallur në një ceremoni se "Izraeli po i afrohet fundit të fushatës ushtarake", ndërsa artileria dhe forcat ajrore kanë intensifikuar bombardimet mbi zonat përreth qytetit të Gazës. Në lagjen Zeitoun u vranë gjashtë fëmijë në një ish-shkollë të Kombeve të Bashkuara plot me refugjatë; zëdhënësit e ushtrisë përgjigjen se kishin goditur një bazë të fundamentalistëve. Qeveria e ekstremit të djathtë u ka urdhëruar gjeneralëve të kapin qendrën kryesore të Rripit tashmë të shndërruar në rrënoja; palestinezët e vrarë kanë kaluar shifrën 60 mijë. Kryeministri thotë se synon ta detyrojë Hamas-in të dorëzohet dhe të lirojë 50 pengjet, prej të cilëve vetëm 20 gjallë, ende të mbajtur në Gaza: delegacioni i grupit ka mbërritur në Kajro për të tentuar të rifillojë negociatat; në Egjipt priten edhe përfaqësuesit izraelitë. Familjarët e pengjeve kanë frikë se avancimi i ri i tankeve do të vulosë fundin e çdo shprese për kthimin në shtëpi të të dashurve: sindikatat kanë refuzuar kërkesën e të afërmve për të shpallur grevë të përgjithshme, ndërsa mbetet thirrja drejtuar të gjithë izraelitëve për të "bllokuar" vendin të dielën.

Eyal Zamir, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, premton se "trupat do të ecin me pengjet në zemër". Gjatë takimeve me ministrat ai kundërshtoi një pushtimin edhe më masiv pikërisht sepse do t’i vinte në rrezik pengjet. Operacioni mbi qytetin e Gazës – shpjegojnë burime ushtarake për agjencinë Reuters – nuk mund të "nisë përpara fillimit të tetorit". Kjo është koha e kërkuar për evakuimin e palestinezëve: edhe një herë do të detyrohen të largohen nga zonat ku kishin gjetur strehim./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?