Gjykata e Posaçme caktoi masën "arrest në burg" për Dorian Beun, 46-vjeçarin e arrestuar të dielën në Malin e Tomorrit. Beu ka pretenduar në Gjykatë se në 2023 për të njëjtën çështje ka një masë sigurie në Itali, e cila e ka lënë në masën e arrestit në shtëpi, për dy muaj dhe më pas hetim në gjendje të lirë nga dhjetori i 2023 dhe që po gjykohet në vendin fqinj.
Beu ishte në kërkim si pjesë e një grupi trafiku droge që u godit vite më parë në kuadër të një operacioni mes SPAK dhe autoriteteve italiane. Dorian Beu ishte pjesë e grupit kriminal të përbërë prej 18 personash që ka vepruar në Itali dhe në Shqipëri, që ka pasur si qëllim tregtimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe marijuanë, nga viti 2015 e në vijim.
Grupi akuzohet për trafikimin e 356 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, heroinë, marijuanë dhe hashash. Në dhjetor 2023, GJKKO caktoi masën e sigurisë 'arrest me burg' për anëtarët e kësaj bande të drejtuar nga Gernard Beu, Emirjan Beu dhe Braniol Liço, pjesë e të cilit ishte edhe Dorian Beu.
Në 2023, SPAK thoshte se veprimtaria kriminale e këtij grupi ishte zhvilluar për periudhën kohore nga viti 2015 dhe në vazhdim, në Shqipëri kryesisht në Durrës, si dhe në qytete të ndryshme në Itali, si në Bergamo, në Breshia, në Milano, në Torino etj, vende ku është kryer transportimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike.
Nga veprimet hetimore ishte bërë e mundur të provohet tregtimi i një sasie prej më shumë se 120 kilogram kokainë, 15 kilogramë heroinë shumë e pastër, si dhe 129 kilogramë marijuanë e 92 kilogramë hashash, të sekuestruara në Itali në disa episode të ndryshme.
Në 2023, me vendimin e GJKKO, iu vunë në sekuestro 1 mln euro pasuri në Durrës, të përfituara nga paratë e ardhura nga krimi, në emër të Braniol Liço, Gernard Beu dhe Emirjan Beu.
Komente
