Kronikë

Pjesë e organizatës së Çopjave dhe i akuzuar për trafikimin e 11 tonëve kokainë në Evropë, ekstradohet nga Republika Domenikane Vilson Pepa (VIDEO)

7 Shtator, 08:44| Përditesimi: 7 Shtator, 15:29

  • Share

Pak ditë pasi u arrestua në Republikën Domenikane, Vilson Pepa është ekstraduar në Shqipëri. Forcat RENEA ‘blinduan’ aeroportin e Rinasit në orët e para të mëngjesit e sotëm, me mbërritjen e 41-vjeçarit nga Lushnja, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK si pjesë e grupit të Ervis Çelës dhe Franc Çopjas. Pas ekstradimit, Pepa u dërgua në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

41-vjeçari, i njohur edhe si Soni Pepa, akuzohet si i përfshirë në trafikun e një ngarkese prej 11 tonësh kokainë, 600 kg prej të cilave u sekuestruan në Roterdam të Holandës midis 7 dhe 8 nëntorit 2020. Ai akuzohet gjithashtu për financimin e blerjes së 10 kg të tjerë lëndë narkotike në të njëjtin qytet.

Report TV siguroi edhe videon e momentit të arrestimit të tij në Santa Domingo, ku shihej i prangosur në duar dhe këmbë, ndërsa mbante një helmetë në kokë si edhe një jelek antiplumb.

Emri i tij doli pas operacionit të SPAK më 8 gusht, ku u godit sërish organizata kriminale e Franc Çopjas në Elbasan. Prokuroria lëshoi 16 urdhër arreste, 14 masa arresti në burg ndërsa dy në detyrim paraqitje. Ndaj Pepës, GJKKO kishte dhënë masën arrest në burg për tre vepra penale: trafik narkotikësh, grup i strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

Sipas SPAK, organizata akuzohet për trafikun e 28 tonëve kokainë në total në Evropë në dy episode të ndryshme, 17 prej të cilave u sekuestruan.

Në shtator të vitit 2020, u organizua trafiku i 11.6 tonëve kokainë (episod i përfshirë edhe Soni Pepa), e fshehur në kuti sapuni dhe kuti boje metalike me logon “Fox”, ngarkesë e cila u nis nga porti i Villeta në Paraguaj dhe mbërriti në Anvers më 04.11.2020. 600 kg u sekuestruan dhe 2 milionë euro, ndërsa u arrestuan dy shqiptarë. 

Në periudhën dhjetor 2020-shkurt 2021 u trafikuan 16.4 ton kokainë, fshehur në bombola metalike me bojë/kollë ndërtimi dhe të stampuara me logo me vlerë tregu prej 1.5 miliard deri 3.5 miliard euro. Ngarkesa, e shpërndarë në disa kontejnerë, mbërriti në Hamburg më 12.02.2021 dhe u sekuestrua nga autoritetet doganore gjermane.

Njoftimi i policisë: 

Finalizohet ekstradimi i shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., nga Punta Cana/Republika Domenikane, në Shqipëri.

Në vijim të bashkëpunimit intensiv të Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, Republika Domenikane, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në orët e para të mëngjesit të sotëm,  u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Punta Cana/Republika Domenikane drejt vendit tonë, të shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., 41 vjeç, lindur në Lushnjë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Si rezultat i informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij nëpërmjet Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, u bë i mundur arrestimi në Punta Cana/Republika Domenikane, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë të këtij shtetasi. Shtetasi S. P., në përfundim të procedurave, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Policia e Shtetit falënderon autoritetet e Republikës Domenikane dhe autoritetet gjermane për bashkëpunimin për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 41-vjeçarit në Shqipëri.

Xh.D/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?