Pasi sistemi europian për sigurinë ushqimore bllokoi në Kroaci pjeshkët e ardhura nga Shqipëria pasi kishin përmbajtje të lartë hekuri, ka reaguar deputetja demokrate Jorida Tabaku, që thotë se konsumatorët shqiptarë nuk kanë siguri në produktet që konsumojnë.
Në një reagim në Facebook, deputetja Tabaku shprehet se sistemi i sigurisë ushqimore në Shqipëri nuk funksionon sa i përket pjesës së kimikateve që përdoren në bujësi.
“I erdhi radha dhe pjeshkëve të bllokohen në kufi me Kroacinë, vetëm si rezultat i sistemit të koordinuar europian për sigurinë ushqimore. Ne nuk e dimë se çfarë produktesh konsumojnë fëmijët tanë, çfarë produktesh çojmë në tryezat tona, sepse ky është sistemi që është ndërtuar, që nuk mbështet bujqësinë, fermën, që nuk e dimë se çfarë kimikatesh përfshihen në proces, që nuk e dimë se sa të sigurt jemi në në produktet që konsumojmë. Ndërkohë që shkojmë mbrapa rigonit që mblidhet në mal e shitet me faturë apo pa faturë dhe gjithë shteti pas kontrollit të produkteve të vogla, ne kemi qerret dalin në tregje dhe shiten me siguri ushqimore zero. Ky është sistemi që është ngritur sot. Ndërkohë, flasim pastaj për ëndrra, flasim për gjëra të parealizueshme. Shqipëria sot ka nevojë për gjëra normale, për siguri ushqimore, për ujin 24 orë, për elementë bazë për sigurinë në shkollë, për rrugë. Pastaj gjithë gjërat e tjera janë ëndrra në beze”, thotë deputetja demokrate Jorida Tabaku.
Kujtojmë se ngarkesa me pjeshkë nga Shqipëria në kufirin kroat u bllokua në fund të gushtit. AKU që reagoi pas këtij lajmi, tha se asnjë prej sasisë së pjeshkëve me përmbajtje hekuri nuk ishte hedhur për konsum në tregun vendas, por ishte eksportuar. Edhe kjo sasi, është asgjësuar pas zbulimit në Kroaci.
Komente

Ne dime se cfare ham,po kujt ti ankohemi,ngrite zërin sa te duash nuk te ndigjon kush,se per vete politikanet i Han bio
Përgjigju