Shkolla 9 vjeçare ‘Pjetër Budi’ në Tiranë e cila po ndërtohet nga e para pritet të jetë gati brenda fundit të këtij viti. Kryeministri Edi Rama dhe Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ishin sot të inspektonin punën.
Nënkryetarja e Bashkisë tha se me godinën e re do të eliminohet shkolla pasdite ndërsa do të ketë më shumë hapësira. Në shkollën “Pjetër Budi”, e cila po ndërtohet nga e para me standardet më të mira të mësimdhënies për afro 1 mijë nxënës, ka marrë mësimet e para dhe kryeministri Rama.
“Me shkollat në Tiranë kemi bërë një revolucion dhe ndërtuar një model që është i standardit më të mirë evropian, pa asnjë diskutim. Shkollat e Tiranës janë shkolla si në çdo qytet të Evropës ku ka shkolla të vjetra, ka shkolla “çka” dhe ka shkolla shumë të mira. Këto janë nga shkollat shumë të mira, pa asnjë diskutim. Është revolucion i madh.” – u shpreh ai.
Shkolla ka aktualisht rreth 1000 nxënës, që zhvillojnë mësimin në 2 turne, ndërsa me ndërtimin e ri, dhe zgjerimin e mjediseve, turnet do të eleminohen dhe do të ketë 28 klasa për nxënësit e ciklit 9-vjeçar si dhe për herë të parë do shtohen 2 klasa për fëmijët e ciklit parashkollor.
Si pjesë e shkollave që ne i kemi të rindërtuara, edhe kjo shkollë është rindërtuar e plotë dhe një nga gjërat që do të bëjmë më mirë është të shmangim komplet turnin e dytë sepse po shtojmë klasat. Deri tani ishte me 938 nxënës dhe 4 klasa ishin me turn të dytë. I kemi shtuar ato, duke ekonomizuar më mirë hapësirën me projektin dhe nuk do të ketë më turn të dytë, po përveç asaj që do të ofrojë gjelbërim edhe hapësira të ndriçimit shumë të mira, ka një shtesë të bukur të faktit që do të ketë një holl të brendshëm dhe tarracë të gjelbër. Tarraca sipër do të jetë e shfrytëzueshme dhe do të ketë dalje nga holli nëpër klasa e nëpër korridore. Tipar tjetër është që palestra është multifunksionale dhe ka një sallë tjetër multifuknsionale, me akses të jashtëm që mund të përdoret dhe për pjesën jashtë shkollës. Do të ketë bibliotekë, laboratorë dhe ajo që ne po shtojmë është edhe klasat e parashkollorit që nuk kanë ekzistuar më përpara. Mendojmë që të jetë gati brenda fundit të vitit kalendarik.” – shpjegoi Kryetarja e deleguar e Bashkisë Ristani.
Shkolla e re do të jetë e pajisur gjithashtu me bibliotekë, laboratorë, hapësira sportive multifunksionale, tarracë të gjelbër, dhomat e psikologut, e infermierisë.
Komente
