Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha në një konferencë për shtyp ditën e sotme se rreth 12 mijë hektarë pyje, kullota, pemishte dhe prona publike janë kthyer në hi, nga zjarret në mbarë vendin.
Ai pretendon se ky fenomen, deri më tani i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej të paktën 80 milionë euro, vlerë e cila rritet çdo ditë sipas tij.
“Nga një përllogaritje e përafërt mbi bazën e kostos së ripyllëzimit, vlerës së lëndës drusore të djegur, kostos së degradimit të tokës dhe të tjera, dëmi ekonomik nga zjarret deri më tani rezulton përafërsisht 80 milion euro, vlerë e cila rritet çdo ditë.
Nga Parku Kombëtar i Lurës tek Parku Kombëtar i Prespës, nga Mali i Shkëlzenit në Tropojë e deri në Himarë, nga Bjeshkët e Rahovicës e deri në Konispol, flakët po shkrumbojnë pasuritë publike, ndërkohë me qindra banesa, objekte kulti, kisha e teqe, dhjetëra simbole të trashëgimisë historike kulturore, jetë njerëzish dhe bagëti janë në rrezik të përhershëm”,- tha Blushi.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë e gjen fajin për këtë situatë tek qeveria, e cila sipas tij ka dështuar që në 12 vite qeverisje radhazi të të ndërtojë një infrastrukturë funksionale, efikase, reaguese dhe parandaluese për emergjencat civile.
Sipas PL-së, kryeministri Edi Rama po përdor këtë situatë kaotike të shkaktuar nga zjarret në vend, për të kaluar në heshtje rritjen e çmimeve të referencës për pasuritë e paluajtshme, pa konsultim publik, “duke vendosur një taksë të re të fshehur mbi qytetarët më të varfër të Europës.”
“Në kulmin e situatës emergjente nga zjarret, në vend që të mobilizojë shtetin për të shpëtuar jetën dhe pasurinë e qytetarëve, Edi Rama merret me grabitjen e Pallatit të Kongreseve për interesat e klientelës së tij, që e ka kthyer Tiranën në lavatriçen më të madhe të korrupsionit dhe parave të pista në Ballkan.
Ndërkohë që flakët intensifikohen, qeveria rrit në heshtje çmimet e referencës për pasuritë e paluajtshme, pa konsultim publik, duke vendosur një taksë të re të fshehur mbi qytetarët më të varfër të Europës.
Një tjetër grabitje e pastër që do e bëjë edhe më të pamundur blerjen e një apartamenti dhe do rrisë më tej koston e jetesës.
Rritja tinëzisht e çmimeve të referencës për pasuritë e paluajtshme është goditja e radhës ndaj shtresës së mesme dhe të rinjve që e kanë të pamundur sot të blejnë një shtëpi.
Kjo nuk është thjesht keqqeverisje, por një bandë shtetërore që po djeg vendin për të ruajtur pushtetin e vet kriminal përmes farsës dhe terrorit elektoral të 11 Majit.
Ky është regjim që përdor zjarrin për të fshehur gjurmët e vjedhjeve dhe krimeve monstruoze që nuk ndalen.
Ndaj jo rastësisht Edi Rama, që nuk pushon së foluri për çadra e kioska pa leje që gjoja kanë zaptuar trotuaret publike, e kur vetëm sot numërohen 34 vatra zjarri në mbarë vendin, me firmën e tij Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar së fundmi lejen e ndërtimit për 17 kulla të larta në afërsi të Liqenit të Farkës”,- tha Blushi.
Komente

Ky Blushi ka te "drejte" (m'vrafshin mu,po ka dit me bo llogari) ....... keta duhet ta mendojne seriozisht,qe kur te vijne ne pushtet,ndoshta ne 2034'en (se dukshem edhe ato te 2029's po i "qajne),ti "rregullojne" keto gjera ...... Tironci
Përgjigju