Zëdhënësja e Partisë së Lirisë Jasmira Memelli në një deklaratë për mediet ngriti sot shqetësimin e investimeve në bujqësi dhe blegtori.
Sipas Memellit “120 milionë euro të dhuruara nga Bashkimi Evropian, të dedikuara për ju, për bujqësinë, blegtorinë dhe agropërpunimin, janë grabitur nga kjo qeveri dhe janë shpenzuar për pishina dhe resorte luksi në emër të investitorëve strategjikë”.
Memelli e cilësoi skemën e garancisë sovrane për bujqësinë dhe biznesit si një model të dështuar.
“Dhe sot, pas kësaj vjedhjeje të pashembullt, qeveria del pa pikë turpi dhe ju fton të aplikoni për kredi me skemën famëkeqe të fondeve sovrane, një model i dështuar dhe i diskredituar, që ka sjellë vetëm borxhe dhe falimentim për fermerët shqiptarë. Kjo është tallje, është përbuzje dhe është krim ekonomik.
“E vërteta është se për bujqësinë dhe fshatin nuk ka asnjë euro nga fondet evropiane dhe asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit. Kjo është fytyra e vërtetë e një qeverie që e ka kthyer korrupsionin në model qeverisës dhe që e ka braktisur qëllimisht fshatin shqiptar. Fondi sovran është një mashtrim i radhës, një fasadë e qeverisë për të fshehur dështimin dhe hajdutërinë. Ai nuk do të mbulojë dot shkatërrimin e bujqësisë, shpopullimin e fshatit dhe rrënimin e ekonomisë prodhuese”, tha Memelli.
Memelli theksoi se “Partia e Lirisë, e ka bujqësinë një nga prioritetet kryesore në programin e saj, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, si dhe shndërrimin e Shqipërisë në fuqi prodhuese dhe eksportuese”.
Komente
