Silvana Bajrami

Politikë

PL: Helmimi i fëmijëve në Gramsh, alarm kombëtar, institucionet kanë dështuar

29 Maj, 15:34| Përditesimi: 29 Maj, 16:00

  • Share

Kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami deklaroi se rasti i fundit i helmimit të fëmijëve në një kopsht në Gramsh është një alarm kombëtar dhe pasojë direkte e dështimit sistematik të institucioneve përgjegjëse.

‘Shqipëria renditet mes 10 vendeve me rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve në Europë gjatë periudhës 2015–2025. Kjo është një statistikë tronditëse për një vend me të ardhura të ulëta për frymë, ku një pjesë e madhe e familjeve shqiptare mezi përballojnë shpenzimet për ushqime bazë. Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është fakti se, përkundër kësaj rritjeje të pamëshirshme të çmimeve, cilësia dhe siguria e ushqimeve në treg vazhdon të përkeqësohet. Rasti i fundit i helmimit masiv të mbi 70 fëmijëve në një kopsht në Gramsh është një alarm kombëtar  dhe një pasojë direkte e dështimit sistematik të institucioneve përgjegjëse.

Institucionet përgjegjëse kanë dështuar në mënyrë të përsëritur të ndërtojë një sistem efektiv kontrolli për sigurinë ushqimore. AKU (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit) vazhdon të funksionojë më shumë si një zyrë burokratike, sesa si një strukturë mbrojtjeje për shëndetin publik. Inspektimet janë të rralla, shpesh formale, ndërsa përgjegjësitë për incidentet e rënda nuk merren kurrë seriozisht. Në një vend ku çmimi i bukës, qumështit dhe produkteve bazë rritet çdo vit, qytetarët kanë të drejtë të paktën të kenë siguri për atë që konsumojnë. Por realiteti është i zymtë: produktet e kontaminuara janë të pranishme në treg, etiketa janë të pasakta, dhe standardet ligjore shpesh injorohen. Qeveria mban përgjegjësinë për këtë situatë të patolerueshme, sepse ka zgjedhur të mos investojë në kontrollin ushqimor, të mos kërkojë transparencë dhe të mos ndëshkojë shkelësit', tha ajo.

Ajo e ka cilësuar situatën si një neglizhencë që rrezikon shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve.

'Në vend të transparencës, kemi heshtje. Në vend të përgjegjësisë, kemi justifikime. Ndërkohë, janë fëmijët tanë që rrezikohen, janë familjet tona që paguajnë shtrenjtë për ushqime të pasigurta, dhe është besimi i qytetarëve që dëmtohet përditë. I bëjmë thirrje qeverisë të ndalë menjëherë këtë neglizhencë kriminale. Të ndërmerren masa të menjëhershme për rritjen e kontrollit mbi prodhimin, importin dhe shpërndarjen e ushqimeve. Të garantohet që institucionet arsimore dhe të kujdesit për fëmijët të kenë vetëm furnizime të certifikuara dhe të sigurta. Të ndëshkohen me ashpërsi përgjegjësit e çdo rasti që vë në rrezik shëndetin publik. Shqipëria nuk mund të ecë përpara duke sakrifikuar mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve të saj. Ne kërkojmë llogari dhe nuk do të heshtim', tha ajo. 

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?