Zv.presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në një deklaratë për mediat tha se pensionistët janë sot kategoria sociale më e diskriminuar, dhe e varfër e shoqërisë.
Xhixho shtoi se në 12 vjet qeveria nuk ua ka lehtësuar jetën pensionistëve duke u rritur shpërblimin për kontributin e një jete të tërë. Xhixho u ndal tek programi i “Aleancës për Shqipërinë Madhështore” në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se do ta bëjë realitet minimumin jetik prej 200 euro.
“Do të vendosim minimumin jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar. Çdo pensionist, me pension të plotë apo të pjesshëm, më të ulët se 200 euro në muaj, çdo i papunë ose person në ndihmë ekonomike, çdo student me bursë dhe çdo jetim do të marrë 200 euro në muaj. Pika të tjera janë rritja e pensioneve me 20 %, ndërsa çdo pensionist, qytetar me minimum jetik apo rrogë minimale (500 euro) do të pajiset me Kartën e Konsumatorit, me të cilën do të përfitojë kthimin e TVSH-së që paguan për blerjet e ushqimeve bazë, energjisë elektrike, ujit dhe ilaçeve, duke përfituar rreth 450 euro në vit.
Për personat me aftësi të kufizuara që kanë nevojë, do të paguhet kujdestari dhe sigurimet e tij, si dhe do të garantohen nga shteti të gjitha mjetet sanitare dhe ndihmëse që u nevojiten. Çmimi i energjisë elektrike do të ulet në 7 lekë/këh. Çmimi i naftës do të ulet me 35-40%. Falen të gjitha gjobat për energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm për pensionistët”, tha Xhixho.
Komente
