Partia e Lirisë thotë se provimet e Maturës Shtetërore ishin të vështira, me strukturë të paqartë testimi dhe metodologji vlerësimi që lë për të dëshiruar. Për këto denoncime të vetë studentëve, thuhet në një deklaratë nga Partia e Lirisë, duhet të ndërhyjë qeveria në mënyrë që rinia të mos braktisë vendin.
Deklarata e Sekretares për Mardhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Znj. Arla Merja.
Të nderuar qytetarë,
Një nga arsyet madhore të shpopullimit të vendit është largimi i të rinjve si rezultat i humbjes së shpresës dhe mungesës së një tregu pune të mirë paguar.
Në përfundim të sezonit të provimeve të Maturës Shtetërore 2025, ndodhemi përballë një realiteti të trishtë, që shpalos me forcë dështimin e politikave arsimore të qeverisë aktuale dhe indiferencën alarmuese të institucioneve përgjegjëse ndaj të ardhmes së rinisë shqiptare.
Qindra maturantë kanë ngritur zërin në rrjete sociale, në media dhe në komunikime direkte me organizatat qytetare, duke denoncuar vështirësinë e pajustifikuara të provimeve.
Janë raportuar pyetje jashtë programeve zyrtare, struktura të paqarta testimi dhe një metodologji vlerësimi që lë shumë për të dëshiruar. Kjo nuk është hera e parë, por është ndoshta viti ku pasojat priten te jenë më dramatiket.
Pakalueshmëria e lartë, po gjeneron një gjendje pasigurie dhe ankthi te mijëra familje shqiptare.
Dhe kjo pakalueshmëri nuk është thjesht një numër.
Është një plagë!
Është një pasojë e një sistemi që nuk funksionon, që nuk dëgjon, që nuk mëson nga gabimet e veta.
E gjithë pesha e një sistemi të dështuar bie mbi supet e një 18-vjeçari, i cili kërkon të ndërtojë të ardhmen e tij, por përballet me një mur burokracie dhe mungesë ndershmërie nga institucionet.
A është kjo mënyra se si trajtojmë të rinjtë tanë? A është ky modeli arsimor që duhet të prodhojë profesionistët e së nesërmes? A është kjo Shqipëria që u kemi premtuar të rinjve tanë?
Sot, Shqipëria nuk po humbet vetëm një brez studentësh, po humbet besimin e tyre. Maturantët nuk shohin më arsimin si një mundësi, por si një pengesë.
1 ne 3 prej tyre nuk e shohin të ardhmen në vendin e tyre, ndaj gjithnjë e më shumë po zgjedhin të largohen, në kërkim të një sistemi arsimor që i trajton me dinjitet, drejtësi dhe përgatitje të vërtetë për jetën.
I bëjmë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit:
• Të publikojnë pa vonesë statistikat e plota të kalueshmërisë për secilën lëndë dhe numrin e maturantëve që kanë mbetur.
• Të ngrejë një grup pune të pavarur për të analizuar strukturën dhe përmbajtjen e provimeve të këtij viti.
• Të hapë procesin e ankimimit, duke garantuar transparencë dhe një mundësi reale për çdo nxënës që ndjen padrejtësi.
• Të rishikojë urgjentisht programet, mënyrën e testimit dhe politikat arsimore që kanë prodhuar këtë situatë dramatike.
• Dhe mbi të gjitha, të pranojë se ky sistem arsimor ka nevojë për ndryshim rrënjësor.
Matura nuk është hapi perfundimar ne formimin e nje individi.
Por për shumë të rinj sot, është fundi i shpresës në këtë vend.
Sepse Shqipëria u përket të rinjve.
Dhe kur i largojmë ata, po humbim të ardhmen e vendit.
Faleminderit.
Komente
