Partia e Lirisë ka ngritur shqetësimin për rritjen e punësimeve në administratën publike.
Në një deklaratë për media, zv. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu tha se punësimet janë bërë për të blerë votën përmes vendeve të punës, në vend që të shërbejnë për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
‘Rritja e punësimeve në administratë publike tre muaj para zgjedhjeve është një krim i shëmtuar elektoral që vetëm SPAK nuk e sheh. Ky krim elektoral i konsumuar në funksion të blerjes së votave më 11 maj, siç denoncoi edhe kreu i misionit të vëzhguesve të Parlamentit Europian, Z.Gahler është jo vetëm një abuzim barbar i taksave të qytetarëve por edhe dëshmi e qartë për keqpërdorimin e administratës shtetërore për qëllime elektorale.
Në një kohë kur Shqipëria po përballet me një rënie dramatike të popullsisë, me mijëra të rinj që largohen çdo vit për mungesë të mundësive të barabarta dhe perspektivës për të ardhmen, qeveria zgjodhi të mbushë zyrat e shtetit me militantë e klientë politikë, jo për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarit, por për të blerë votën me vendin e punës. Përdorimi kriminal i administratës publike në fushatë dhe zgjedhje është fytyra me e qartë e kapjes së shtetit', tha ajo.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare të INSTAT, Haxhiu thekson se në tremujorin e parë të vitit 2025, punësimi në sektorin publik është rritur me 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa krahasuar me vitin 2019, numri i të punësuarve në sektorin shtetëror është rritur me 7.3%.
'Sipas INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2025, punësimi në sektorin publik është rritur me 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por ajo që është edhe më alarmante është fakti se krahasuar me vitin 2019, numri i të punësuarve në sektorin shtetëror është rritur nga 172.900 në 185.400, një rritje prej 7.3% – në një kohë kur shumë shërbime ofrohen online dhe kur popullsia e vendit ka rënë ndjeshëm .
Kujt po i shërben kjo rritje? Popullit që ikën, apo partisë që kërkon të mbajë pushtetin me çdo kusht? Një administratë që rritet ndërsa popullsia bie është një paradoks tragjik. Kjo nuk është më qeverisje, por pushtet i bazuar mbi klientelizëm, jo meritokraci. Të punësuarit në administratë nuk janë votues të lirë, por viktima të presionit,kërcënimit dhe shantazhit. Ata detyrohen të marrin pjesë në takime elektorale, të sjellin vota apo të raportojnë mbështetës për partinë në pushtet. Kjo është një shkelje e të drejtës së votës dhe e parimeve të demokracisë funksionale', tha ajo.
Komente
