Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim në Partinë e Lirisë, Myrvete Asqeri, ka deklaruar se Shqipëria renditet e fundit në fondet e BE për shkencën.
Në një deklaratë për media, ajo e cilëson këtë situatë si një tjetër dëshmi të dështimit të thellë të qeverisë në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor, duke ngritur alarmin për kolapsin e politikave publike që, sipas saj, po minojnë të ardhmen e vendit.
'Lajmi se Shqipëria është e fundit në garë për fondet e Bashkimit Europian për shkencë dhe inovacion është një tjetër dëshmi tronditëse e kolapsit total të politikave arsimore të kësaj qeverie. Ky nuk është një rast i izoluar, por një kapitull i errët në një libër të gjatë dështimesh, ku qeveria Rama ka zgjedhur të braktisë dijen, të përbuzë kërkimin dhe të shkatërrojë të ardhmen. Arsimi është rrënuar me vetëdije Shpenzimet për arsimin janë nën 2.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, më pak se çdo vend tjetër në rajon dhe shumë më poshtë standardeve të BE-së. Universitetet janë të nëpërkëmbura, kërkimi shkencor thuajse inekzistent, dhe mësimdhënia është shndërruar në një betejë për mbijetesë. E gjithë kjo është rezultat i drejtpërdrejtë i neglizhencës kriminale të një qeverie që nuk investon në tru, por në beton.
Shqipëria është jashtë skenës europiane të dijes. Vetëm 3.55 milionë euro janë përfituar nga programi Horizon 2020 për një vend të tërë, një dështim turpërues që tregon se as strukturat publike dhe as institucionet shkencore nuk janë mbështetur për të konkurruar e përfituar fonde. Shqipëria është sot jo vetëm jashtë loje, por edhe jashtë vizionit të së ardhmes. Kemi një sistem të kapur nga klientelizmi dhe paaftësia. Shkenca nuk zhvillohet me propagandë, laboratorë të shtrenjtë pa përmbajtje dhe ceremoni false, ajo kërkon vizion, financim dhe meritokraci, ndërsa kjo qeveri investon në fasada, në tendera dhe në emërime politike. Shqipëria nuk mund të ecë përpara me një klasë drejtuese që e sheh arsimin si pengesë, e jo si mundësi', tha ajo.
Ajo theksoi se Partia e Lirisë e ka arsimin prioritet.
Partia e Lirisë e ka vendosur arsimin si një nga 5 prioritetet madhore në programin e saj, 5 prioritete për 4 milione shqiptarë plus.
Ne besojmë thellësisht se shteti shqiptar nuk mund të shpëtojë pa një revolucion në dije, cilësi dhe profesionalizëm, prandaj me nisjen e legjislaturës së re, Partia e Lirisë do të paraqesë një projektligj për rritjen e financimit për arsimin në minimumin 5% të PBB-së, si një hap real dhe konkret për të kthyer Shqipërinë në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm', tha ai.
Komente
