Partia e Lirisë akuzon qeverinë se ka braktisur qytetarët dhe familjet në nevojë duke mos i ndihmuar për të përmirësuar cilësinë e jetesës.
Zv/Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, në një deklaratë për mediat, ka komentuar raportin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Ushqimin (FAO), që thotë se qytetarët shqiptarë arrijnë të sigurojnë me vështirësi ushqimin.
Sipas FAO, në Europë shqiptarët renditen së bashku me Ukrainën që është vend në luftë, për këtë raport.
Haxhiu thotë se 5.4% e popullsisë në vendin tonë nuk arrin që të sigurojë sasinë e duhur të ushqimit për të jetuar, duke e konsideruar një shifër dramatike.
Deklarata e zv/Sekretares së Përgjithshme të PL, Brunilda Haxhiu:
"Shqipëria sot është faqja e zezë e Europës. Në vitin 2025 shqiptarët vuajnë ende për bukën e gojës .
Sipas të dhënave zyrtare të Programit të Kombeve të Bashkuara për Ushqimin, FAO-s, në hartën globale mbi prevalencën ,vendi ynë është i vetmi në kontinent ku nën-ushqyerja mbetet problem real. Ndërsa në të gjitha vendet e tjera europiane ky fenomen është zhdukur, shqiptarët në vitin 2025 nuk arrijnë ende të mbushin tryezat e tyre me ushqim.
Rreth 5,4% e popullsisë shqiptare nuk siguron dot ushqimin e mjaftueshëm për të jetuar, një shifër dramatike që na rendit përkrah Ukrainës, një vend në luftë prej vitesh. Në vendet e Bashkimit Europian ky tregues është nën 2%, shpesh edhe I papërfillshëm. Ky është rezultati i një qeverie që nuk ka në planin e saj të përmirësojë cilësinë e jetës së shqiptarëve, por ka axhendë Shpopullimin e Shqipërisë.
Në vend që të ndihmojë familjet, fermerët dhe shtresat në nevojë, kjo qeveri ka zgjedhur që me rritjen ekonomike të pasurojë oligarkët me koncesione e favore. Ndërkohë që fëmijët shqiptarë shkojnë në gjumë pa ngrënë mjaftueshëm, në korridoret e sallonet e qeverise festohet me verë 33 mijë euro, lahen makina me 10 mije euro, udhetohet me avione çarter, shpenzohet per hotele luksi në udhëtime diplomatike dhe bëhet parade me paratë që duhet të shkonin për qytetarët.
Të dhënat më të fundit të EUROSTAT janë një tjetër tregues i realitetit tronditës për Shqipërinë: vendi ynë, së bashku me Bullgarinë dhe Turqinë, ka nivelin më të ulët të kënaqësisë me gjendjen financiare. Shqiptarët e vlerësojnë situatën e tyre ekonomike vetëm me 4.8 pikë , ndërkohë që mesatarja europiane është 6.6 pikë. Ky hendek është pasqyra e dëshpërimit për situatën e tanishme ekonomike dhe perspektivën e saj që ka sot shumica e qytetarëve .
Ky raport thekson se pakënaqësia financiare është më e lartë te shtresat e varfra të popullsisë, të cilat në Shqipëri përbëjnë një numër dramatik: rreth 1 milion qytetarë jetojnë në varfëri, pa mundur të sigurojnë ushqimin e mjaftueshëm për fëmijët e tyre, apo të plotësojnë nevojat bazike si veshmbathja dhe shërbimet elementare.
Këto raporte vetëm sa dëshmojnë atë realitet që familjet shqiptare e vuajnë çdo ditë. Kryefamiljarë që me rrogat e tyre , më të ultat në Europë ,nuk arrijnë dot të mbyllin shpenzimet mujore. Por edhe shume të tjerë të papunë, pensionistë, PAK që janë nën mbrojtje sociale që I ka lënë të pambrojtur nga varfëria.
Programet sociale që ndjek kjo qeveri janë të pamjaftueshme, nuk mbulojnë as minimumin jetik, dhe shpesh përdoren si mjet propagandistik për të treguar një realitet të rremë. Ndërkohë, shifrat e institucioneve ndërkombëtare flasin qartë: shumica e shqiptarëve ndihen më shumë të varfër sesa të sigurt financiarisht.
Në këtë situatë, hendeku mes të pasurve dhe të varfërve thellohet çdo ditë. Shqipëria ka ngecur në një spirale ku diferencat sociale dhe ekonomike vetëm thellohen.
Partia e Lirisë do të vazhdojë të ngrejë zërin për politika të drejta sociale, më gjithëpërfshirëse, dhe për mbeshtetje reale financiare per familjet , pensionistët dhe njerëzit në nevojë. Prioriteti i Partisë së Lirisë është Shqipëria me shqiptarë".
Komente
