Brunilda Haxhiu

Politikë

PL: Strehimi është kthyer në luks për shumicën e shqiptarëve, një ndër faktorët që po nxit largimet nga vendi

8 Qershor, 11:01| Përditesimi: 8 Qershor, 11:08

  • Share

Partia e Lirisë thotë se kriza e strehimit në vend është përkeqësuar, duke e cilësuar si një nga faktorët që po shtyn të rinjtë dhe familjet e reja drejt emigrimit masiv.

Në një deklaratë për mediat, zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e PL Brunila Haxhiu deklaroi se strehimi është kthyer në luks për shumicën e qytetarëve, me çmime banesash dhe qirash që kanë arritur nivele të papërballueshme. Sipas saj, çmimet janë më shtrenjtë se në Milano.  

"Apartamentet në Tiranë janë më të shtrenjta se në Milano, ndërkohë që pagat janë ndër më të ulëtat në Evropë. Të rinjtë që sapo nisin jetën familjare e kanë të pamundur të blejnë apo të marrin me qira një shtëpi në zonat urbane. Edhe kur ia dalin të marrin një kredi, kostot janë të jashtëzakonshme. Ata mbeten peng i mikrokredive dhe borxheve.”, u shpreh Haxhiu.

Ajo akuzoi qeverinë për thellimin e kësaj krize, duke thënë se ndërtimi po përdoret për pastrim parash dhe jo për të strehuar qytetarët në nevojë.  

“Mijëra apartamente qëndrojnë bosh në Tiranë, ndërkohë që familjet nuk kanë ku të banojnë”, u shpreh Haxhiu, duke theksuar se fondi 3% për banesat sociale nuk është zbatuar asnjëherë.

Haxhiu thekson se PL propozon një program të qartë për për subvencionimin e strehimit dhe ndërtimin e banesave sociale, duke përfshirë kategori të ndryshme si familjet e reja, prindërit e vetëm, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe studentët.

“Partia e Lirisë ka vullnet të plotë politik për ta zgjidhur këtë problem të rëndë social dhe për t’u dhënë qytetarëve të drejtën për një strehë të sigurt”, përfundoi Haxhiu.

Deklarata e plotë:

Kriza e strehimit në vend është një nga faktorët kryesorë që po nxit largimin masiv të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve dhe familjeve të reja. Sot, strehimi është bërë një luks për shumicën e shqiptarëve. Çmimet e banesave dhe qirave janë rritur në mënyrë të vrullshme, duke e bërë strehimin gjithnjë e më të shtrenjtë dhe të papërballueshëm për shumë qytetarë. Apartamentet në Tiranë janë më të shtrenjta se në Milano, ndërkohë që pagat janë ndër më të ulëtat në Evropë. Të rinjtë që sapo nisin jetën familjare e kanë të pamundur të blejnë apo të marrin me qira një shtëpi në zonat urbane. Edhe kur ia dalin të marrin një kredi, kostot janë të jashtëzakonshme. Ata mbeten peng i mikrokredive dhe borxheve.

Mungesa e strehimit po ndikon drejtpërdrejt në rënien e lindshmërisë dhe në emigrimin masiv të çifteve të reja. Shumë nga projektet e shpallura nga institucionet për banesa sociale ose për subvencionim kredish janë të vonuara ose të parealizuara.

Qeveria Rama nuk e ka zgjidhur problemin e strehimit, por përkundrazi e ka rënduar atë, edhe pse biznesi i betonit ka lulëzuar në Shqipëri. Në kryeqytet ka mijëra apartamente të pashitura, sepse ndërtimi nuk po përdoret si mekanizëm strehimi, por si mjet për pastrimin e parave të pista.

Fondi 3% i banesave, që synon t’u merret ndërtuesve për t’u dhënë qytetarëve si banesa sociale, nuk është zbatuar. Ky fond do të mundësonte strehimin e shumë familjeve në vështirësi ekonomike në Tiranë.

Partia e Lirisë ka një vizion të qartë për të zgjidhur këtë problematikë të rëndë sociale. Ne fokusohemi në programet e subvencionimit për përfitimin e strehimit, por njëkohësisht edhe në investime për ndërtimin e banesave sociale. Ky program ka si kritere jo vetëm nivelin e të ardhurave, por edhe përparësi për familjet e reja, prindërit e vetëm, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, studentët, etj. Rritje të fondit të buxhetit të shtetit dhe bashkëfinancim me Bashkinë e Tiranës, e cila përballon problematikat më të mëdha në rang kombëtar në politikat sociale të strehimit. Garantimi i një transferte të kushtëzuar për strehimin në shpërndarjen e fondit nga qeveria qendrore. Krijimi i një zëri të veçantë në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për strehimin e familjeve që preken nga programet urbanistike.

Programi politik i Partisë së Lirisë shumëfishon numrin e familjeve në nevojë, familjeve të reja dhe të gjitha kategorive sociale që kanë nevojë për mbështetje për strehimin e tyre. Partia e Lirisë ka vullnet të plotë politik dhe është e vendosur për të zgjidhur këtë problematikë sociale.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria barazoi me Serbinë, sa shanse ka për të shkuar në Botëror?