Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, ka reaguar ndaj procesit të zgjedhjeve të 11 majit, të cilin ajo e cilësoi si “votim nën një regjim autokrat” dhe jo si një proces me zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në një deklaratë publike, Haxhiu akuzoi qeverinë për përdorim të administratës shtetërore në funksion të fushatës dhe për përfshirje të grupeve kriminale.
“Procesi zgjedhor i 11 majit ishte votim nën një regjim autokrat dhe jo zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të gjithë e pamë se rezultati që duhej të vendosej nga programet politike dhe nga profili i kandidatëve, në fakt u vendos nga bandat dhe përdorimi i administratës shtetërore.
SPAK-u, i cili duhej të pengonte krimin në ndikimin e rezultatit të zgjedhjeve, në fakt vetëm pengoi liderët e opozitës të udhëhiqnin fushatën dhe nuk ndaloi krerët e bandave. Organet e rendit nuk ndërhynë për të penguar parregullsitë e denoncuara nga opozita, si zyrat pa logo të patronazhistëve që realizonin “trenin bullgar”, ku qytetari u kthye në postier të votës së parashkruar. Administrata shtetërore u përdor përgjatë fushatës elektorale, por edhe në administrimin e procesit zgjedhor. Brenda territorit të qendrave të votimit kanë qenë të pranishëm zyrtarë shtetërorë që orientonin votën e qytetarëve', tha ajo.
Ajo theksoi se opozita e bashkuar nuk do të tërhiqet dhe do të vijojë të denoncojë me fakte manipulimet, ndërsa premtoi një riorganizim të mbështetësve për të mbrojtur pluralizmin dhe demokracinë në vend.
'Rezultati thellësisht i manipuluar i procesit zgjedhor të 11 majit kërkon t’u japë qytetarëve mesazhin e nënshtrimit dhe dekurajimit për demokraci. Por ne, si opozitë e bashkuar, nuk do të lejojmë kurrsesi që puna, mundi i qytetarëve që na kanë mbështetur, të tjetërsohet. Ne, nga takimet tona të vazhdueshme në terren, e dimë mirë se pjesa më e madhe e qytetarëve duan ndryshim dhe kanë votuar për ndryshimin.
Asnjë manovër, asnjë makinacion, nuk do ta mbajë Shqipërinë peng të krimit dhe autokracisë. Ne do t’i qëndrojmë fort kauzës sonë për pluralizëm dhe demokraci, duke denoncuar me fakte çdo manipulim votash. Këto zgjedhje të vjedhura nuk na demotivojnë, por na çojnë drejt një riorganizimi të të gjithë mbështetësve tanë. Vendosja në vend e të vërtetës është detyrimi ynë moral për të gjithë ata që na besuan. Vendosja e demokracisë është detyrim që ne ia kemi Shqipërisë dhe fëmijëve tanë', tha ajo.
Komente
