Partia e Lirisë thotë se zhvillimi i turizmit në Shqipëri është propagandë e qeverisë.
Sipas sekretares së Përgjithshme të PL-së Brunilda Haxhiu, çmimet janë të kripura, shërbimet pa cilësi, ndërsa në zonat turistike sipas saj nuk është zhvilluar plotësisht infrastruktura rrugore.
'Përditë shohim në media propagandë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Realiteti i turizmit është shumë larg lajmeve që na serviren në ekranet tona. Qeveria po na ushqen me një turizëm mediatik, të ndërtuar në laboratorët e PR-it qeveritar. Cilësia e jetës se qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë nuk është përmirësuar nga turizmi. Pamjet e filmuara me dron janë padiskutim fantastike, por fakti është që në eksperiencat reale, turistët ndeshen në rrugë me gropa. Në zonat turistike jo që nuk ka turizëm elitar, por ka mungesë uji dhe energjie.
Qeveria flet për shifra rekord të turistëve që hyjnë në kufi dhe nuk e përcakton qartazi nëse ata janë tranzit, janë për shërbime dentare, estetike apo për të shijuar dhe eksploruar bukuritë tona natyrore dhe vlerat historike. A janë në vëmendje të qeverisë bizneset që nuk arrijnë të mbajnë hapur aktivitetet e tyre pas gushtit? Turizmi në Shqipëri është një flluskë që po fryhet pafund nga propaganda mediatike. Zhgënjimi që turistët marrin nga shërbimi dhe infrastruktura që gjejnë në realitet sjell pasoja negative të pariparueshme për vitet që vijnë. Më shumë sesa investimi në media dhe rrjete sociale për promovimin e turizmit na duhet investim real në zhvillim të turizmit', tha ajo.
Sipas saj, turizmi në vend është i përqendruar vetëm në dy muaj dhe nuk shtrihet përgjatë gjithë vitit.
'Realiteti në Shqipëri flet për rrugë të amortizuara që të çojnë drejt destinacioneve turistike, për mungesë të sinjalistikës dhe shërbimeve minimale. Çmimet e shfrenuara shpesh shoqërohen me cilësi të ulët të shërbimeve dhe jo profesionale. Trashëgimia kulturore po mbulohet nga betoni dhe ndërtimet pa kriter. Turizmi është i përqendruar vetëm në dy muaj dhe nuk shtrihet përgjatë vitit për të zgjidhur probleme të papunësisë dhe varfërisë te komunitetit që varet nga turizmi. Zhvillimi i turizmit duhet të kthehet sa më pare në politikë konkrete. Çdo sezon turistik që ushqehet me propagandë mediatike është një sezon i humbur', tha ajo.
Komente
