Plagjiatura, Tole: Deri në 2030, Shqipëria do sigurojë kërkim shkencor cilësor! Muça: Kushdo që bën punime, do të jetë i detyruar ta botojë

3 Prill 2023, 18:49| Përditesimi: 3 Prill 2023, 21:13

  • Share

Strategjia për kërkimin shkencor e Ministrisë së Arsimit ka synim që deri në vitin 2030, Shqipëria të sigurojë cilësi për një zhvillim socio-ekonomik në përputhje me standardet ndërkombëtare bazuar në njohuritë e reja shkencore.

Në një intervistë për Report Tv në ‘Studio live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Zv.ministrja e Arsimit Albana Tole tha se kjo strategji ka në fokus disa pika, mes të cilave është edhe plagjiatura.

“Një prioritet e kësaj strategjia është rritja e pjesëmarrjes së institucioneve që merren me kërkim shkencor. Një tjetër element thelbësor është edhe përmirësimi i kapaciteteve të kërkuesve shkencorë dhe krijimi i rrjetit të tyre për rritjen e performancës në programet kombëtare dhe ndërkombëtare. Një nga pikat kryesore është plagjiatura pasi aktualisht në Ministrinë e Arsimit është draftimi i projektligjit për shkencën. Po ngrihen të gjithë mekanizmat, po ashtu dhe përfshirja e klauzolave apo neneve që i referohen plagjiaturës pikërisht për të ulur dhe minimizuar mundësinë që kërkuesit shkencorë kanë për të bërë plagjiaturë”, tha Tole.  

Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor (AKKSHI), Mirela Muça thotë se kushdo që do të bëjë punime shkencore do të jetë i detyruar që t’i botojë për të parandaluar plagjiaturën.

“Një mekanziëm për të cilën po punojmë fort është përqafimi i parimit të shkencës së hapur. Secili person që bën punim në kërkim shkencor është i detyruar të botojë. Kjo nuk lejon të bësh plagjiaturë sepse publikimi do të jetë i hapur, i kontrollueshëm, i aksesueshëm”, tha Muça.

Në Konferencën Kombëtare të Bashkëpunimit Universitet-Biznes që do të mbahet ditën e nesërme, Tole tha se në fokus do të jetë edhe strategjia për kërkimin shkencor.

Ndërsa Muça u shpreh se ka disa çështje ku çalon bashkëpunimi i universitetit me biznesin dhe pretendojnë që do t’i afrojnë më shumë me njëra tjetrën.

“Konferenca e nesërme përputhet dhe me strategjinë. Sikurse e përmendëm, një nga objektivat parësorë që kemi është krijimi i sinergjive. Duhet thënë që ky lloj partneriteti është shumë i rëndësishëm pasi jo vetëm identifikon nevojën e kurrikulave por krijon mundësi bashkëpunimi mes biznesit dhe institucionit që mund të jenë ofrues shërbimesh për biznesin. Konsultimi publik do të vijojë sat ë jetë e nevojshme. Do të organizohen takimet me institucionet publike dhe shoqërinë civile e kur të kemi një feedback për sugjerimet, grupi i punës do të rimblidhet për të reflektuar por besohet se brenda fundit të vitit kjo strategji do të hyjë në fuqi”, tha Tole.

“Gjithmonë ka disa gjëra që s’kanë shkuar mirë edhe me kërkimin shkencor si bashkëpunimi i universitetit me biznesin. Ajo që duam të bëjmë është që t’i afrojmë këto 2 linja dhe në çdo thirrje për projekte të kërkim zhvillimit kemi vendosur disa incentive ndërsa nesër nxjerrim shembuj pozitiv e domethënëse ku Universiteti i Tiranës ka bashkëpunuar me biznesin për disa problematika”, tha Muça.

Bashkëpunimi universitet-biznes në aktivitete të kërkimit shkencor është një mekanizëm që prodhon njohuri, produkte dhe shërbime të reja. Thirrja për financimin e projekteve të përbashkëta të kërkimit shkencor, mes universiteteve dhe biznesit do të jetë e hapur deri në datën 28 prill 2023.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?