Policia greke ka zbardhur atentatin e ndodhur më 13 korrik në një lokal në Athinë, ku mbetën të plagosur një turk dhe një polic grek. Si autor i ngjarjes është arrestuar 22-vjeçari shqiptar Alesio Biba, nga Vau i Dejës, i cili dyshohet se vepronte me urdhër të një mafiozi turk të burgosur.
Ngjarja ndodhi në lokalin “Filloas” në rrugën “Tripoleos”, ku u qëllua me armë zjarri ndaj 48-vjeçarit turk Volkan Ertas. Si pasojë e atentatit, mbeti i plagosur edhe një polic grek, bashkëshort i pronares së lokalit. Ertas kishte shkuar aty për të marrë një makinë, në një takim të organizuar nga Suleyman Dalgic, një turk i burgosur për vrasjen e 6 bashkëkombasve të tij në vitin 2023.
Gjatë arrestimit, Biba tentoi të asgjësojë telefonin e tij celular, ndërsa në banesë iu gjetën arma e krimi, 1 pistoletë “Grand Power MK7” me një krehër me 15 fishekë, 1 krehër pa fishekë, 29 fishekë, 1 fishek “Luger”, 1 celular “Samsung”, 4 paketa të katër numrave celularë, 1 letër A4 me udhëzime për GPS Tracker makinash dhe 1 kartë SIM. Në dëshminë e dhënë, ai pranoi autorësinë e atentatit, duke pohuar se kishte për synim vetëm plagosjen e Ertas.
Policia greke njoftoi se urdhëruesi i atentatit, Suleyman Dalgic, ndodhet në burgun e Larisas, ku po vuan një dënim të përjetshëm për ekzekutimin e gjashtë pjesëtarëve të grupit kriminal “Daltons” në Turqi.
Komente
