Gjykata e Lezhës ka dënuar me 12 vite burg 71-vjeçarin, Gjergj Gjini i cili në muajin dhjetor të vitit 2020 plagosi me armë zjarri fqinjin e tij Hil Gjini. Ngjarja ndodhi në fshatin Balldre të Lezhës, ku 43-vjeçari Hil Gjini, teksa po dërgonte fëmijët në shkollë, u qëllua me armë nga fqinji sapo kishte dalë nga banesa me automjetin e tij tip "Benz".
Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Artan Hajredinaj e gjeti fajtor të moshuarin për veprat penale "Plagosje e rëndë me dashje", "Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armeve shpërthyese dhe municionit" si dhe "Kanosja". Prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me 20-vite burg, por ai përfitoi nga ndryshimi i kualifikimit të veprës penale nga vrasje me paramendim në plagosje e rëndë me dashje si dhe nga bashkimi i dënimeve, ndërsa vuajtja e dënimit do të bëhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Në qëndrimet e tij 71-vjeçari Gjergj Gjini ka deklaruar se i kishte zënë pritë fqinjit për ta trembur dhe se nuk kishte patur qëllim që të qëllonte me armë zjarri në drejtim të tij. 43-vjeçari Hil Gjini u plagos mëngjesin e 1 dhjetorit të vitit 2020, teksa ishte në makinë me bashkëshorten dhe 3 fëmijët e tij.
Këta të fundit fatmirësisht nuk morën dëmtime, pasi bashkëshortja e 43-vjeçarit arriti të zbresë nga makina dhe fillimisht ka mundur t'i ulë dorën e më pas t'i rrëmbejë armën të moshuarit Gjergj Gjini i cili në ato momente po qëllonte drejt bashkëshortit të saj.
Policia arriti të prangosë autorin disa orë pas ngjarje si dhe në cilësinë e provës materiale sekuestroi armen e krimit dhe disa gëzhoja.
Në deklarimet në polici 70-vjeçari ka deklaruar se fqinji i kishte helmuar delet shumë vite më parë si dhe kishin patur konflikte të vazhdueshme për çështje pronësie.