Plagosi me armë zjarri një person në Velipojë vitin e shkuar pas sherrit, arrestohet në Itali me qëllime ekstradimi i shumëkërkuari Kristjan Lulaj.
Policia e Shtetit konfirmoi sot aksionin në bashkëpunim me partnerët e vendit fqinj dhe nisjen e procedurave për ekstradimin e 26-vjeçarit.
Ndaj tij rëndojnë akuzat e tentativës së vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.
Lulaj akuzohet se plagosi me armë Emiljano Palokën, 27 vjeç, në fshatin Malikolaj në Shkodër.
"Shkëmbimi i informacioneve me homologët italianë, lokalizon dhe çon në pranga një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapet në Itali dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, një 26-vjeçar, i cili 1 vit më parë, tentoi të vriste me armë zjarri, një shtetas, në Velipojë. Në vijim të bashkëpunimit me homologët italianë, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e shkëmbyera ndërmjet palëve, u lokalizua në Itali, u kap dhe u arrestua, shtetasi: K. L., 26 vjeç", njoftoi policia për operacionin.
Lulaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, i kishte caktuar edhe masën e sigurisë "arrest në burg", për veprat penale "vrasja me dashje", mbetur në tentativë dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
I riu akuzohet se në fshatin Malikolaj, Velipojë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri 27-vjeçarin për motive të dobëta.
"Interpol Tirana dhe Interpol Roma do kryejnë procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri", sqaroi policia.
Ngjarja ndodhi më 2 prill të vitit 2024. paloka mbeti i plagosur, por fal ndërhyrjes së mjekëve arriti t'i mbijetonte plagëve, kurse autori i dyshuar u shpall në kërkim.
Komente
