Një 47-vjeçar ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Lushnjë, pasi ishte shpallur në kërkim për plagosjen e një personi në shtator të vitit të kaluar. Bëhet me dije se në pranga ka rënë Adriano Shabanaj, banues në Roskovec, i njohur edhe me ermin Ilir Shabanaj. Policia bën me dije se është shpallur në kërkim edhe një person, i identifikuar si Irfan Azizi, 31 vjeç, i akuzuar për moskallëzim krimi.
Ngjarja u regjistrua më 13 shtator 2020, ku në aksin rrugor Kosovë e Vogël-Jeta e Re, Shabanaj plagosi me armë zjarri Mario Arapin.
Konflikti ndodhi për një parakalim ku u gërvishtën makinat e të plagosurit dhe autorëve. Kjo ka bërë që ata të dalin nga mjetet e tyre dhe të zihen, ku nga konflikti Adriano Shabanaj, nxori armën dhe qëlloi 31-vjeçarin.
Gjatë momentit të kapjes, 47-vjeçarit i janë gjetur dhe sekuestruar 9 aparate celularë dhe një shumë prej 2000 euro.
Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë, me vendimin e datës 11.06.2021, ka caktuar masat e sigurisë “Arrest me burg“, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje" dhe "Mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, për shtetasin Shabanajn dhe për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” për shtetasin Azizin.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.