Policia e Tiranës ka vënë në pranga Kevin Cungun, i cili ishte shpallur në kërkim për veprat penale "Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe "Armëmbajtja pa leje".
Kevin Cungu në shtator të 2020, në fund të rrugës “5 Maji”, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, plagosi në këmbë 30 vjeçarin Rexhep Xhekaj Gjeli.
"Në këtë kuadër, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas në kërkim me rrezikshmëri të lartë kriminale, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit K. C., 19 vjeç, banues në Tiranë.
19-vjeçari ishte person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe "Armëmbajtja pa leje".-njofton policia.
30-vjeçari Rexhep Xhekaj Gjeli, po festonte ditëlindjen dhe debati më Kevin Cungun nisi brenda në lokal. Dyshohet se ato kishin konsumuar alkool dhe lëndë narkotike dhe pas sherrit Cungu i ka kërkuar që të dalin për sqarim dhe pastaj e ka qëlluar me armë zjarri në këmbë.
Kevin Cungu është vëllai i grabitësit të njohur Markeljan Cungut i cili pak muaj më parë grabiti çiftin Laze në Allias. Ai kishte nisur grabitjet që në moshë të vogël.