Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim dosjen e të pandehurit Orges Xhelili i cili akuzohet për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë” e mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje” ndaj kryebashkiakut të Divjakës Fredi Kokoneshi.
Në nëntor të vitit 2022 Orgest Xhelili goditi me thikë kryetarin e bashkisë duke i shkaktuar dëmtime të rrezikshme pë jetën. Njëkohësisht ai goditi me thikë edhe shoferin e kryebashkiakut, shtetasin G.B i cili ndërhyri për të parandaluar sulmin.
Kujtojmë që avokati i 46 vjeçarit Orges Xhelili deklaroi se shkak për sulmin, është bërë një çështje për të cilën SPAK ka marrë nën hetim kryebashkiakun e Divjakës Fredi Kokoneshi në lidhje me abuzimin me tenderat publikë.
Si ndodhi ngjarja
Kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi u godit me thikë pas shpine, teksa zbriti nga makina dhe i drejtohej zyrës. Dëshmitarët i thanë policisë se shoferi, Gazmend Bullari ndërhyri për ta mbrojtur, por mbeti dhe ai i plagosur. Ngjarja e rëndë u shënua në 09:30 (11 nëntor) pas godinës së bashkisë, ndërsa autori i dyshuar 46-vjecari Orges Xhelili, u prangos menjëherë.
Ngjarja paraprakisht dyshohet se ndodhi për dy shkaqe. Burimet thanë se Xhelili ishte pushuar nga puna si inxhinier IT në Bashki, ndërsa e shoqja drejtore poliklinike në Divjakë, kishte marrë urdhër transferimi në fshatin Tërbuf. Këto janë motivet, sipas burimeve, ndërsa zyrtarisht policia dhe prokuroria thanë se po punohet për zbardhjen e plotë të krimit.