Plagosi inxhinierin e OSHEE-së, Apeli i Tiranës lë në qeli efektivin Erjon Goxhara! Gjykata nuk pranoi zbutjen e masës

21 Shtator, 09:56| Përditesimi: 21 Shtator, 11:26

  • Share

Tiranë- Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, për masën e sigurisë “arrest në burg” për policin Erjon Goxhara, i cili akuzohet se plagosi pak javë më parë punonjësin e OSHEE-së, inxhinierin Lorenc Kosta.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 19 gusht, në zonën e “Komunës së Parisit”, pranë kompleksit “Kika”. Arsyetimi i Goxharës se ka qenë në situatë gjaknxehtësie nuk e bindi gjykatën për një masë më të butë, në vendimin e dhënë më 17 shtator dhe të konfirmuar ditën e sotme.

Gjykata pasi dëgjoi palët, la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, për akuzën “vrasje e mbetur në tentativë”, që kishte dhënë Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë.

Goxhara u kap pas disa ditësh ndjekjeje, teksa u vetëdorëzua, kurse hetimet treguan se krimi kishte motive xhelozie, për tradhëtinë e bashkëshortes së policit me Kostën dhe debatet që denigruan deri në plagosjen me pistoletë.

Sipas hetimeve të deritanishme dhe dëshmive, Goxhara kishte kapur një tradhti të gruas shumë vite më parë dhe gjatë debateve ajo e pranoi, duke treguar dhe emrin e inxhinierit. Efektivi planifikoi sulmin duke ndjekur, prerë rrugën dhe goditur me gjashtë plumba Kostën, që fatmirësisht mbijetoi. Report TV dhe Shqiptarja.com publikuan edhe momentin e plagosjes së inxhinierit.

Goxhara u arratis i ndihmuar nga i afërmi i tij, teksa u vetëdorëzua 48 orë më pas, gjatë negociatave. Ai shprehu pendesë në dëshmi dhe Gjykatë, duke thënë se veproi në gjaknxehtësi e sipër, i goditur psikologjikisht nga e vërteta që mësoi.

Sipas dëshmive, Goxhara i tha Kostës që "të mos hynte më në familjet e të tjerëve", duke nënkuptuar lidhjen intime me gruan e tij.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?