Plagosja tek 'Ura e Bunës'! U qëllua pas shpine me pistoletë me silenciator, 34-vjeçari: Erdha nga Shkodra në Spitalin e Lezhës, ndihesha më i sigurt! Policia s’gjen asnjë provë në vendngjarje

4 Janar 2022, 09:33| Përditesimi: 4 Janar 2022, 15:19

  • Share

SHKODËR- Plagosja me tre plumba e Vinçens Piroli është bërë me pistoletë me silenciator. 34-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Mali i Zi mbeti i plagosur në një atentat të dyshimtë në Shkodër. Ngjarja është e mbushur me mister dhe paqartësi dhe gjithçka bëhet edhe më konfuze ku dëshmia e Pirolit dhe ajo e të afërmit të tij që e çoi të plagosur në Spitalin e Lezhës janë kontradiktore. Ndërsa Piroli është shprehur se është qëlluar nga pas shpine teksa po ecte në këmbë, i afërmi i tij ka dëshmuar para bluve të Shkodrës se e kishte çuar 34-vjeçarin të takonte një person te ura e Bahçallekut dhe po e priste në makinë, por ai ishte kthyer i plagosur.

34-vjeçari është qëlluar nga pas shpine teksa po ecet në këmbë, me 3 plumba që e prekën një në shpatull dhe dy në pjesën e brinjëve. I plagosuri, i cili dyshohet se është vrasës me pagesë, pas plagosjes ka marrë në telefon një familjarin e tij, i cili e ka dërguar në spitalin e Lezhës, edhe pse plagosja ka ndodhur në Shkodër. Sipas dëshmisë së parë të 34-vjeçarit për policinë tha se erdhi në Spitalin e Lezhës pasi ndihej më i sigurt.

“Ndihem më i sigurt në spitalin e Lezhës se në Shkodër, prandaj erdha këtu”, u ka thënë ai hetuesve.

Në dëshminë e kushëririt të Pirolit, Mark Nika, i cili e ka transportuar në Spitalin e Lezhës të plagosurin, tha se nuk e di se kush ka qëlluar ndaj tij apo për çfarë arsye. Nika dëshmon para bluve të Shkodrës se pasi e la 34-vjeçarin te ura e Bahçallekut, kishte pritur në makinë, ndërsa Piroli ishte futur në një rrugë dytësore për të takuar personin, por ishte kthyer i plagosur.

I plagosuri është dërguar më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën. Atij i është komunikuar masa e arrestit me burg në spital me qëllim ekstradimin e tij në Malin e Zi, ku kërkohet si autor i një vrasje. Dyshime të forta janë ngritur se bëhet fjalë për një atentat, kjo pasi 34-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vrasje në Ulqin, ku hakmarrja është pista kryesore e hetimit.

Në mars të 2017 djali i një malazezi i quajtur Momçillo Gjurishiç ka vrarë me armë zjarri shtetasin nga Kosova, Beqë Likaj 53 vjeç. Pas vrasjes së këtij të fundit, në 4 korrik 2021 u ekzekutua Momçillo Gjurishiç dhe autor kryesor është Vincens Piroli së bashku me një tjetër shqiptar. Pikërisht plagosja e tij sonte mendohet të ketë të bëjë me këtë ekzekutim në shenjë hakmarrjeje.

Policia  ka shkuar në vendin ku mendohet se ka ndodhur plagosja e 34-vjeçarit në hyrje të Shkodrës, por nuk kanë gjetur në vendin e ngjarjes asnjë provë, asnjë gjurmë gjaku dhe asnjë gëzhojë plumbi. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ora 13:47
Shoqëroi Vincenso Pirolin në spitalin e Lezhës, zbardhet dëshmia e të afërmit të tij: Kishte lënë takim me një person, por erdhi i plagosur

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me plagosjen e 34-vjeçarit Vinçens Piroli, i cili mendohet se kishte lënë takim me një person, i cili dhe e ka qëlluar 3 herë me pistoletë me silenciator.

Në dëshminë e të afërmit të Pirolit, Mark Nika, i cili e ka transportuar në Spitalin e Lezhës të plagosurin, tha se nuk e di se kush ka qëlluar ndaj tij apo për çfarë arsye. Nika dëshmon para bluve të Shkodrës se pasi e la 34-vjeçarin te ura e Bahçallekut, kishte pritur në makinë, ndërsa Piroli ishte futur në një rrugë dytësore për të takuar personin, por ishte kthyer i plagosur.

“Jemi nisur nga Lezha për në Shkodër, pasi Vinçensi më tha se do të takonte një person. Kemi mbërritur në Shkodër rreth orës 18:30. Në hyrje të urës së Bahçallekut që është edhe hyrja e Shkodrës Vinçensi ka zbritur nga makina dhe është futur në një rrugë dytësore. Aty kishte edhe një xhami. Unë e kam pritur në makinë. Papritur kur erdhi dikush e kishte plagosur. Unë nuk e di as se kush e ka plagosur dhe as arsyen sepse nuk më ka treguar. Pastaj e kam dërguar ashtu të plagosur tek spitali i Lezhës, sepse nuk donte ta çoja në Shkodër, për shkak se kishte frikë se mund t’i ndodhte ndonjë gjë. E kam çuar në spitalin e Lezhës dhe e kam lënë aty. Nuk e kam idenë se kë ka takuar dhe se kush e ka plagosur”, dëshmoi i afërmi i tij.

Ora 11:46
Gënjeu policinë? 34-vjeçari tha se u plagos tek ‘Ura e Bunës’, blutë shkojnë në vendngjarje por nuk gjejnë asnjë provë

Policia e Shkodrës ka shkuar në vendin ku mendohet se ka ndodhur plagosja e  34-vjeçarit Vinçens Piroli mbrëmjen e djeshme sipas dëshmisë së tij. Por blutë nuk kanë gjetur në vendin e ngjarjes asnjë provë, asnjë gjurmë gjaku dhe asnjë gëzhojë plumbi. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe nëse Piroli ka thënë të vërtetën se ku është qëlluar me 3 plumba pas shpine.

Ora 10:38
Akuzohet për vrasje me pagesë në Malin e Zi, arrestohet në Spitalin e Traumës me qëllim ekstradimin, 34-vjeçari i plagosur në Shkodër

 

Policia ka arrestuar 34-vjeçarin Vinçens Piroli i cili u plagos mbrëmjen e 3 janarit në Shkodër me pistoletë me silenciator. Piroli u dërguar për mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku dhe iu komunikua masa e arrestit me qëllim ekstradimin e tij në Malin e Zi, ku kërkohet nga autoritete malazeze si vrasës me pagesë.

34-vjeçari dyshohet se është autor për vrasjen e Momçillo Gjurishiç, ngjarje e ndodhur me 4 korrik të vitit 2021 në Ulqin. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?