45-vjeçari egjiptian Mohammed Sabry Soliman e kishte planifikuar sulmin me koktej molotov ndaj demonstruesve që merrnin pjesë në një tubim pro-izraelit në Kolorado të SHBA prej një viti, sipas BBC. Disa persona mbetën të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë pas hedhjes së molotovit.
45 vjeçari përballet me një sërë akuzash, përfshirë krim urrejtjeje federal, tentativë vrasjeje dhe përdorim të mjeteve shpërthyese. Sipas autoriteteve, Soliman e kishte planifikuar sulmin për më shumë se një vit, me qëllim ta realizonte pas diplomimit të vajzës së tij nga shkolla e mesme.
Gjatë sulmit, ai kishte veshur një jelek portokalli për t’u kamufluar si kopshtar dhe u afrua te turma duke bërtitur “Palestina e lirë” përpara se të hidhte dy mjetet shpërthyese, duke plagosur tetë persona. Më vonë, katër të tjerë raportuan dëmtime të lehta, duke e çuar numrin total në 12. Ndër të plagosurit ishte edhe një i mbijetuar i Holokaustit, Rabbi Israel Wilhelm.
Policia gjeti në afërsi edhe 16 kokteje molotovi të papërdorura dhe një pajisje spërkatëse kopshti të mbushur me benzinë. Dokumentet e FBI-së tregojnë se Soliman kishte ndjekur video në YouTube për ndërtimin e bombave artizanale dhe kishte mësuar të përdorte armë zjarri, por nuk kishte arritur të pajisej me leje për shkak të statusit të tij të emigracionit. Ai kishte udhëtuar nga Colorado Springs drejt Boulder dhe kishte blerë benzinë gjatë rrugës.
Gjatë marrjes në pyetje, Soliman shprehu urrejtje ndaj "sionistëve" dhe deklaroi se do ta kryente sërish sulmin. Ai tha gjithashtu se kishte lënë mesazhe për familjen në telefonin e tij, të cilin gruaja e dorëzoi më vonë autoriteteve.
Sulmi ndodhi në fillim të festës hebraike të Shavuot-it dhe ishte pjesë e një proteste javore të organizuar nga grupi “Run for Their Lives”, që bën thirrje për lirimin e pengjeve izraelite në Gaza.
Komente
