TIRANË - Targat e automjetit tip "Golf 5" i përdorur në atentatin e "Don Boskos" më 3 shtator identifikuan Denis Tahirin, 23-vjeçarin nga Kamza që u shpall në kërkim nga policia si autor i dyshuar i dy personave të plagosur, Kastriot Elezaj, 45 vjeç, dhe Renaldo Metushi, 22 vjeç.
Hetuesit e Policisë së Tiranës fillimisht zbuluan se kujt i përkisnin targat e mbivendosura dhe pasi mori në pyetje pronarin e makinës, rezultoi se ai ia kishte dhënë me qira Denis Tahirit.
Nga hetimet rezultoi se ky i fundit, kishte pak ditë që e kishte marrë makinën me qira dhe targat ia kishte vendosur mjetit tip "Golf 5" që autorët dogjën pas krimit.
Po ashtu, shenjat e gishtave të tij kanë ndihmuar edhe në përforcimin e dyshimeve të policisë, pasi u krahasuan me ato të gjetura në mjet.
Dyshohet që 23 vjeçari të jetë brenda territorit shqiptar, por ende nuk është mundur të arrestohet.
Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi, po pinin kafe në verandën e lokalit në afërsi të OSHEE-së, kur nga një makinë u qëllua drejt tyre. Elezaj, 45 vjeç, u plagos në krah dhe në mushkëri, ndërsa Metushin 22 vjeç, plumbi e kapi në këmbë.
Autorët që mendohet se ishin 3, fillimisht lëvizën pranë lokalit për t’u bindur se shënjestra ishte aty, pak minuta më vonë u rikthyen dhe qëlluan me 7 plumba drejt tyre. Pas krimit dogjën makinën në dalje të Kamzës, brenda së cilës u gjet pistoleta me silenciator.
Gati dy muaj pas ngjarjes, Policia e Tiranës mundi të zbardhë atentatin dhe të shpallë në kërkim të riun organizator, Denis Tahiri.