Kronikë

Plagosja e kamarierit të mitur në picerinë në Tiranë, 3 në pranga! Në kërkim administratori dhe autori, u zhdukën pamjet filmike (EMRAT)

2 Qershor, 10:47| Përditesimi: 2 Qershor, 14:23

  • Share

TIRANË- Në dukje një ngjarje aksidentale, plagosja e një kamerieri vetëm 15 vjeç, ka ngritur pikëpyetje të mëdha për hetuesit se çfarë ndodhi vërtetë, pasi deri më tani të përfshirët, tentojnë të fshehin çdo gjurmë.

Arsyet janë të shumta. I mituri, i cili kishte nisur punë vetëm 2 javë më parë në picerinë e kushëririt të tij në zonën e “Ali Demit”, nuk ishte i deklaruar.

Pasditen e së dielës, ai ndodhej ulur në një tavolinë me kushëririn administrator Leonardo Mejdani dhe kolegun, shpërndarës picash, 21-vjeçarin Aldi Neziri.

Për motive të paqarta ende, punonjësi nxjerr një armë zjarri të modifikuar në formë stilolapsi, dhe godet me plumb në qafë të miturin, i cili u transportua në spitalin e Traumës. Askush nuk njoftoi policinë, por u kujdesën të fshehin gjurmët e asaj çfarë kishte ndodhur.

Tre punonjës të tjerë të picerisë “Fantazia”, tashmë të arrestuar, Ferit Basha, Andi Hyka dhe Keivin Bala, bashkë me administratorin e shpallur në kërkim, fshinë gjurmët e gjakut dhe hoqën DVR-në e pamjeve të kamerave të sigurisë të picerisë. Të gjithë, janë vënë nën akuzë për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Bashkë me ta një vajzë e mitur, 15 vjeçe, kushërirë e të miturit të plagosur po hetohet në gjendje të lirë. E reja dha dëshmi të rreme para hetuesve, pasi pretendoi se plagosja ndodhi jashtë lokalit, dhe i mituri u godit nga një plumb qorr, i rënë nga sipër. Edhe 15-vjeçari i plagosur u mor në pyetje në spital, por nuk është treguar bashkëpunues me hetuesit.

Megjithë këtë tentativë të tyre, policia u njoftua për ngjarjen nga spitali i traumës, ku mjekëve u mbërriti një i plagosur me armë zjarri. Ekspertët e bluve të kryeqytetit arritën të kthejnë pamjet nga kamera e sigurisë, por arma e zjarrit ende nuk është gjetur.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, te “Ali Demi”, ku u plagos me armë zjarri një 15-vjeçar, kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe disa shtetas të përfshirë në përfshirë në këtë rast.  Në vijim të veprimeve procedurale: U shpall në kërkim autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi A. N., 21 vjeç, për veprat penale  “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; 

U shpall në kërkim L. M., 24 vjeç, administratori i picerisë ku ndodhi ngjarja, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”; U arrestuan shtetasit F. B., 20 vjeç, A. H., 29 vjeç dhe K. B., 20 vjeç, punonjës të picerisë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Këta shtetas dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri. 

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një shtetase 15 vjeçe, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.

Autor i dyshuar Aldi Neziri, 21-vjeç, u shpall në kërkim i dyshuar për veprat penale  “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.  Hetimet janë shpërndarë në 2 pista, ndonjë konflikt lekësh, ose drejtim i armës nga shpërndarësi i picave te kamerieri, pa synim për të qëlluar.

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Cilat duhet të jenë prioritetet e mandatit të katërt të qeverisë Rama?