TIRANË- Një ditë pas plagosjes me armë të 27-vjeçarit Juglen Abazi në Fresk, Policia ka identifikuar autorin e ngjarjes. Burime zyrtare bëjnë me dije se është shpallur në kërkim autori 27-vjeçar Klejvis Caka (Lusha). Ndaj tij rëndojnë akuzat “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Po ashtu blutë kanë identifikuar edhe dy bashkëpunëtorët e tij, të cilët dyshohet se e kanë ndihmuar autorin të largohet nga vendi i ngjarjes. Njëri prej tyre është arrestuar, Xhonatan Qerimi 27 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur Andi Gurra 26-vjeç. Arsyeja e plagosjes dyshohet të ketë qenë sherri për një vajzë.
"Në vijim të veprimeve intensive hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Thoma Filipeu”, në Fresk, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 28-vjeçari J. A., specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Jetës dhe Pronës kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe dy bashkëpunëtorët e tij.
Në vijim të veprimeve proceduriale: -U shpall në kërkim autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi K. C. (L.), 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-U arrestua në flagrancë shtetasi Xh. Q., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; U shpall në kërkim shtetasi A. G., 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit Xh. Q. dhe A. G. kanë ndihmuar autorin e dyshuar të largohet nga vendngjarja", njoftoi Policia e Tiranës.
Ndërkohë, 27-vjeçari i plagosur u paraqit vetë në spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Komente
