Kronikë

Plagosja me thikë e 21-vjeçarit dje në Durrës, vihet në pranga autori i dyshuar! Në banesë iu gjetën pajisje për prodhimin e kriptomonedhave

6 Maj, 10:21| Përditesimi: 6 Maj, 10:56

  • Share

Durrës-Policia e Durrësit ka vendosur në pranga autorin i cili dyshohet se plagosi me thikë një 21-vjeçar dje në lagjen nr.13 në Durrës.

Gjatë operacionit, Ergys Pjeçit i janë gjetur në banesë, pajisje që dyshohet se shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave.    

Njoftimi i policisë:

Strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, me marrjen e njoftimit se në Spitalin Rajonal Durrës, ishte paraqitur një shtetas i plagosur rëndë me mjet prerës, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes. Në kuadër të operacionit "Baza", shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, kanë bërë të mundur identifikimin në kohë rekord dhe kapjen shtetasit E. P., i cili dyshohet se në vendin e quajtur “Baza e Hekurudhave”, ka plagosur me thikë, shtetasin L. I., 21 vjeç, banues në Durrës.    

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. P. janë gjetur thika me të cilën ai dyshohet se ka kryer krimin dhe disa pajisje të cilat dyshohet se shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave. Gjithashtu, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.   

Pajisjet janë sekuestruar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, të cilët vijojnë veprimet hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie.    

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. P., 38 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Lajm në përditësim...

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata drejt fundit, a ju kanë bindur partitë që të votoni më 11 maj?