Dy nxënës të gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz u arrestuan për plagosjen me grushte dhe thikë, të 3 bashkëmoshatarëve të tyre. Plagosja ndodhi në një rrugicë pranë shkollës, gjatë orarit të pushimit të madh. Pesë të miturit dyshohet se do sqaroheshin për një sherr mes tyre, por situata degjeneroi në dhunë. Ende nuk dihet nëse i dyshuari e ka pasur thikën me vete edhe në shkollë, pasi deri më tani nuk po i tregon asgjë hetuesve.
***
Pushimi i gjatë në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz duhej të ishte një moment shkëputje nga orët e para mësimore për nxënësit, të cilët teksa qëndrojnë brenda oborrit mund ta shfrytëzojnë këtë kohë për të konsumuar diçka për të ngrënë apo për biseda relaksuese mes njëri-tjetrit deri në nisjen e orëve pasuese.
Por në shkelje të rregullave, porta e shkollës që duhet të qëndrojë e mbyllur deri në përfundim të gjithë procesit mësimor, është hapur, dhe 5 gjimnazistë të mitur 16-vjeçarë dolën jashtë oborrit.
Ecën pak dhe në një rrugicë jo shumë larg shkollës në bulevardin “Nënë Tereza”, pranë një parkingu, nisën të sqarojnë një sherr që kishin nisur një ditë para përplasjes së dhunshme të enjten, me pretendimet 'Pse më sheh'.
Pasi janë përleshur me grushte, njëri prej tyre ka nxjerrë thikën. Plagë nga kjo armë e ftohtë, morën 3 të mitur të cilët përfunduan në spital, njëri më rëndë, ndërsa tjetri pas trajtimit nga bluzat e bardha, u dërgua në banesë.
Thika që një prej 16-vjeçarëve plagosi të miturit e tjerë, ende nuk është gjetur nga policia.
Ajo që pritet të zbulohet nga hetuesit, është nëse 16-vjeçari e ka pasur apo jo me vete thikën edhe kur ka shkuar në shkollë dhe ta ketë pasur atë brenda ambienteve të gjimnazit, i cili ka edhe oficerë sigurie.
Efektivët e komisariatit numër 5, në prani të prindërve dhe psikologëve, morën dëshmitë e të miturve, dhe pas hetimeve, arrestuan 2 prej tyre, të cilët me grushte dhe thikë kanë goditur 3 bashkëmoshatarët e tjerë, të gjithë nxënës të gjimnazit “Ibrahim Rugova”.
Autori i dyshuar, që mendohet se ka goditur me thikë, deri më tani nuk tregohet bashkëpunues me blutë për të sqaruar nëse e kishte me vete në shkollë thikën apo nëse e kishte fshehur më herët jashtë, në vendin ku u zu me shokët e shkollës.
Po ashtu, 16-vjeçari nuk tregon as vendin se ku e ka hedhur thikën pas plagosjes.
Komente
