Stavri Nica, trajneri i Laçit

'Plaku' i urtë i Laçit

20 Prill 2023, 15:59| Përditesimi: 20 Prill 2023, 16:00

  • Share

Rikthimi i shtatë në krye të Laçit për të rikthyer kurbinasit në binarët e duhur këtë sezon në Superligë. Trajneri Stavri Nica mori fitoren e dytë në po kaq ndeshje brenda harkut të pak ditëve, teksa presidenti Pashk Laska ia ka besuar një 'steke të vjetër' drejtimin e skuadrës. Këshilltar i presidentit, Nica nuk ka ngurruar të pranojë drejtimin e ekipit për herë të shtatë në karrierë.

Korçari 68-vjeçar zuri vendin e të shkarkuarit Gentian Mezani, duke treguar menjëherë cilësitë dhe eksperiencën e tij. "Trajneri kujdestar" e mori ekipin në vendin e tetë me 33 pikë dhe tanimë ka mundur Teutën dhe Partizanin, për ta dërguar ekipin në vendin e pestë dhe vetëm tre pikë larg Europës.

Në një kampionat ku nga java në javë ndryshojnë objektivat, duket se qetësia dhe urtësia e Nicës zënë peshë. I njohur me klimën sportive në Laç, Nica është i pari që ka vendosur gurthemelin e një ekipi europian, qysh në 2009-10, kur drejtoi ekipin për herë të parë në Superligë.

Me plot 113 ndeshje në krye të Laçit gjatë viteve të ndryshme, Nica ka fituar respektin e tifozëve dhe të kolegëve, teksa kulmi shënohet në sezonet 2012-13 dhe 2013-14, kur trajneri e drejtoi ekipin në 60 ndeshje dhe për herë të parë luajti në raundin e dytë të Kupave të Europës.

68-vjeçari Nica është më i vjetri mes kolegëve në Superligë dhe Laçi duket se ka gjetur "të tretin të vërtetin" këtë sezon, teksa nuk është çudi që edhe edicionin e ri Nica të qëndrojë në krye të stolit, si shembull i punës, sjelljes dhe rezultateve sportive. Profesori i futbollit vërtet ka vite mbi supe dhe konkurrohet vetëm nga Shensoji i Bylisit (64 vjeç), me 'plakun' e urtë që ka ende për të dhënë leksione futbolli për trajnerët e rinj.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?