Fillimi i hartimit të Planit të Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar në Butrint u prezantua sot në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar. Ky projekt zë fill disa muaj pas miratimit të Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore edhe muzetë.
Por çfarë parashikon plani?
Përfaqësuesi i kompanisë fituese, Davide Prince, gjatë shpjegimit të tij u shpreh se plani parashikon të adresojë çështje të cilat janë të mbartura nga e shkuara dhe nga ana tjetër të jap një zgjidhje mbi kontekstin e ri të krijuar mbi ligjin e trashëgimisë.
Ndërsa, ministrja e Kulturës shpjegoi më gjerësisht mbi këtë projekt.
Është një ditë shumë e rëndësishme sot, sepse në fakt bëjmë publike një punë të re në trashëgiminë kulturore në Parkun Arkeologjik të Butrintit, për të bërë një konkurs ndërkombëtar për të zgjedhur kompaninë më të mirë për planin e menaxhimit, që është ‘Prince and Pearce’.
Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës
Kjo nismë vjen në kuadër të ligjit të ri, i cili e parashikon si risi, krijimin e fondacioneve kulturore.
Ne mendojmë që Parku i Butrintit është siti i duhur për të aplikuar këtë formulë të re menaxhimi në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, që është Fondacioni Shqiptar për Zhvillim dhe që jemi të sigurtë, që do të tërheq më tej edhe më shumë kontributor, për ta bërë këtë park, pse jo ndër më të rëndësishmit në Shqipëri.
Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës
Edhe ku do të ndahet më shumë puna në hartimin e këtij plani?
Bëhet fjalë për një plan të integruar menaxhimi që duhet të ruajë atë që në fakt shekujt na kanë lënë, bashkëjetesën perfekte të natyrës me veprën e njeriut, të trashëgimisë kulturore materiale me atë çka ajo zonë e jashtëzakonshme e Mesdheut ofron. Për këtë kërkohet kombinimi i shumë elementëve. Së dyti, është një plan menaxhimi, që jo vetëm do të ruajë territorin, por do të potencojë atë që janë burimet natyrore, por edhe financiare të Butrintit në një mirëadrministrim të tillë. Fondacion Kulturor nuk është biznes, por është formulë jofitimprurëse. Që do të thotë se të gjitha të ardhurat e Parkut Kombëtar të Butrintit të mbeten brenda parkut për ta ruajtur, për ta zhvilluar atë edhe sidomos për ta kontrolluar. Trendi i vizitorëve në Butrint ka ardhur duke u rritur, gjë që në një të ardhme do të duhet që ta kontrollojmë. Kjo formë bëhet falë këtij plani menaxhimi. Ky turizëm duhet që të jetë i menaxhuar që ti japim prioritet ruajtjes së parkut, të ruajtjes së trashëgimisë.
Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës
A do të ndihet ky model edhe në parqet e tjera kombëtare?
Që nga momenti që e kemi futur në ligj një koncept të tillë, këtë formulë të re menaxhimi, që mendojmë se është një stad i ri i zhvillimit edhe i administrimit të trashëgimisë kulturore, sigurisht që është i aplikueshëm për të gjithë. Për të dhënë garancitë maksimale ligji parashikon krijimin e fondacioneve me ligj të veçantë në Parlament. Është pra ligji i trashëgimisë që e ka parashikuar një gjë të tillë.
Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës
Kjo është vetëm faza fillestare e hartimit të planit menaxhues, por në fazën e zbatimit a mund të nënkuptojmë ne më shumë specialistë të huaj në këto parqe?
Parku i Butrintit është një sit ndërkombëtar, është një trashëgimi botërore, edhe është në interes për një sit të tillë, por unë mendoj se për çdo sit në Shqipëri ne të tërheqim gjithnjë ekspertizën më të mirë. Edhe ekspertiza nuk ka kombësi, nuk ka ngjyrë pasaporte, por vetëm cilësi. Prandaj në emër të cilësisë ne jemi të hapur që të bashkëpunojmë me të gjithë ata që janë vullnetmirë edhe kanë të njëjtën ndjesi për Butrintin, siç vet Luigi Ugolini kur e zbuloi.
Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës
Hartimi i planit të integruar do të financohet nga Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Vlera në total është 250.000 $ dhe do të zgjasë shtatë muaj, duke nisur nga tetori 2018 deri në prill të vitit 2019.