Ambiciet e qeverisë për projekte të reja, nuk arrijnë të realizohen nga administrata. Vjet nuk u realizuan investimet publike me afro 170 milionë euro sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.
Institucionet arritën të shpenzonin vetëm 1.1 miliardë euro për investime, ndërkohë që kishin në dispozicion 1.3 miliardë euro për projekte të ndryshme, madje shpenzimet kapitale ishin në rënie me 34 milionë euro edhe në raport me vitin 2023.
“Ka dy arsye, ose është tentuar të mbahet një deficit i ulët buxhetor me qëllim që të krijohen hapësira për të marrë më shumë borxhe, ose nga ana tjetër janë institucionet që nuk arrijnë të performojnë, të realizojnë procedurat. Duhet një proces llogaridhënie pse nuk realizohen investimet”, thotë eksperti fiskal Eduart Gjokutaj.
Ministria e Financave këtë ‘ngecje’ të investimeve e ka justifikuar me vonesat në procedurat tenderuese, vonesat në realizimin e projekteve si dhe vështirësinë e marrjes së fondeve të huaja.
“Projektet infrastrukturore kanë problematikën më të madhe të zvarritjes, rritjes së kostove dhe natyrshëm i gjithë efekti përkthehet në këtë mos-realizim”, thotë Gjokutaj.
Më herët ekspertët e kanë arsyetuar ‘stepjen’ e administratës për të qenë më e vendosur në zbatimin e planit të investimeve të lidhur edhe me hetimet e drejtësisë për tendera e kontrata të ndryshme. Për Gjokutajn ky është një tjetër tregues i mos profesionalizimit të administratës.
“Nëse pranojmë frikën, atëherë i bie që administrata nuk është e aftë, se po zbatove ligjet nuk ke pse të kesh frikë”, thotë Gjokutaj.
Ecuria e dobët e investimeve përgjatë periudhës janar-nëntor 2024, u pasua nga një hov pagesash për investime në dhjetor, ku u shpenzua 45% e totalit të fondeve të dedikuara për shpenzime kapitale. Vetëm në muajin e fundit të vitit shpenzimet për investime ishin 516 milionë euro.
Gjatë 2024-ës janë bërë 889 milionë euro investime me fonde të buxhetit të shtetit dhe rreth 174 milionë euro investime me financim të huaj, referuar shifrave zyrtare të ministrisë.
Komente

Ik ore se è zhvlefsove euron ne zero.kjo do te thote frenim i turizmit dhe emigracionit.
Përgjigju