Kurti dhe Lajçak

Plani evropian, Lajçak sot vizitë në Prishtinë: Bisedime për takimin e dytë Kurti-Vuçiç në Ohër

9 Mars 2023, 07:18| Përditesimi: 9 Mars 2023, 14:54

  • Share

KOSOVË-  I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të vizitojë sot dhe nesër Prishtinën. Lajçaku vjen në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi që pritet të zhvillohen në Ohër më 18 mars.

Tema kyçe e bisedimeve me palë të ndryshme do jetë aneks-plani i zbatimit të krejt pikave të propozimit evropian për ujdi që u pajtua si dokument i pandryshuar.

Dokumenti prej 11 nenesh – që u bë publik më 27 shkurt nga BE-ja – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi po ashtu përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Ky dokument, që fillimisht njihej si propozimi franko-gjerman, ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata për arritjen e normalizimit të plotë të raporteve nën ndërmjetësimin e BE-së. Por, palët kanë pikëpamje të ndryshme rreth marrëveshjes përfundimtare. Përderisa Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd pason takimin e 27 shkurtit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve. Bartësit e dialogut, po ashtu, u shprehën të gatshëm të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.

Rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 8 mars, se po vazhdojnë përgatitjet për takimin në Ohër.

“Do të shohim se si do të mund t’ia bashkëngjisim propozimit të dakorduar evropian edhe një plan të mirëfilltë zbatimi që duhet të karakterizohet nga gjithpërfshirja dhe nga efikasiteti”, tha ai.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?