Në planin financiar me 7 pika të hartuar nga qeveria shqiptare për përballimin e situatës së krijuar nga përhapja e Koronavirus, do të përfitojnë dhe shtresat në nevojë.
Familjet që kanë pamundësi ekonomike dhe fizike do ta përfitojnë asistencën sociale në banesë.
Në fletoren zyrtare është botuar vendimi për ndihmën që do përfitojnë kategoritë si:
Familjet/individët përfitues të ndihmës ekonomike,
Personat me aftësi të kufizuara,
Personat, të cilët përfitojnë pension pleqërie,
Familjet/individët në nevojë, të cilët janë të pastrehë,
Familjet që kanë humbur banesën për shkak të tërmetit.
Listat, do t’i dërgohen në rrugë elektronike Komisionit Qendror për Ofrimin e Asistencës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, e cila do të bëjë verifikimin e përbërjes familjare të personave të listuar.
Për asistencën ndaj shtresave në nevojë do angazhohen dhe Forcat e Armatosura, të cilat do të koordinojnë punën me komisionet e mbrojtjes civile, në qarqe dhe bashki.
Dërgimi i pagesave mujore, që këta persona përfitojnë nga programi i mbrojtjes sociale, i sigurimeve shoqërore, në banesë, do të kryhet nga shërbimi postar, në bazë të listave të konfirmuara, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
Rreth 300 milionë euro është paketa me shtatë pika e qeverisë shqiptare për të përballuar pasojat dhe luftën me koronavirusin në të gjitha frontet,në shëndetësi, por edhe bizneset e individët.
Për biznesin e vogël, shtresat në nevojë dhe papunësinë, kategoritë më të prekura nga situata e krijuar qeveria ka akorduar në total 53 milionë euro.